E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rregullorja e re kthim pas, të dënuarve iu mohuan të drejtat”



TIRANE - Ashpërsimi i rregullores së burgjeve ka sjellë reagime ditën e djeshme nga institucioni i Avokatit të Popullit. Ervin Karamuço, kreu i Njësisë për Parandalimin e Torturës, pranë Avokatit të Popullit pohoi dje se rregullorja e re, e miratuar nga qeveria binte ndesh me disa benefice, të cilat të paraburgosurit tashmë i kanë arritur dhe nuk mund t'iu hiqen pasi nxitin pakënaqësi. Sipas tij, heqja e televizorëve nga paraburgimi ishte një nga veprimet më të pamenduara, po kështu edhe masat e tjera shtrënguese që pritet të ndërmerren pas hyrjes në fuqi të rregullores së re të burgjeve. I kontaktuar dje nga gazeta Karamuço pohoi se institucioni i tij ka monitoruar qelitë e shumë burgjeve dhe paraburgimeve dhe në një pjesë të konsiderueshme të tyre ka hasur praninë e televizorëve. Kështu që nëse do të zbatohet rregullorja e re kjo ka për të sjellë pakënaqësi nga të paraburgosurit. Më tej Karamuço pohoi se përgatitja e shteasve dhe ndryshimeve e projekt-rregullores ishte bërë nga autoritetet përgjegjëse me shpejtësi, ndërsa nuk ishte dërhuar për mendim n institucionin e Avokatit të Popullit. I kontaktuar dje me telefon kreu i një paraburgimi pohoi se nxjerrja e televizorëve nga qelitë e të paraburgosurve do të sillte vërtet probleme në sistemin e burgjeve. Ndërkohë burime të tjera shprehen se heqja e televizorëve nga qelitë e paraburgimit iu heq të arrestuarve mundësinë për argëtim, duke iu shtuar stresin, e krijuar nga mbyllja në qeli dhe ndërprerja e kontakteve me botën jashtë burgut. Po kështu të paraburgosurit privohen nga e drejta për informim mediatik nëse nuk do lejohen të mbajnë televizorë në qeli. Në fakt disa paraburgime në vend nuk kanë televizorë nëpër qelitë, por këta janë kryesisht ato institucione, të cilat më parë kanë funksionuar pranë komisariateve të policisë. Ndryshimet në rregulloren e re të burgjeve kanë sjellë reagime edhe përsa i përket penalizmit të familjarëve që tentojnë të futin sende të ndaluara në qeli. "Kur vizitori tenton të fusë sende të ndaluara drejtori i IEVP-së ndalon takimin e të burgosurit me këtë vizitor për një periudhë nga 3 deri në 12 muaj", thuhet në rregulloren e re. Më tej është kundërshtuar edhe vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme në burgje dhe masat që duht të merren në raste të tilla. Gjithashtu është kundërshtuar edhe koncepti për "familjarët" e personave që ndodhen në qeli, pasi tashmë sipas rregullores së re, anëtarë të familjes të së burgosurit nënkuptohen nëna, babai, fëmijët, motra, vëllai, bashkëshorti ose bashkëshortja. fa.ma

Ndryshimet e kontestuara

Ndalohen televizorë në mjediset e paraburgimit; nuk lejohet më shumë se një televizor dhe një frigorifer për çdo dhomë në mjediset e vuajtjes së dënimit.
Mbajtja, përdorimi dhe qarkullimi i sendeve të ndaluara konsiderohen shkelje të rënda.
Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme në institucionet e burgjeve dhe masat e marra në raste të tilla.
Kur vizitori tenton të fusë sende të ndaluara drejtori i IEVP-së ndalon takimin e të burgosurit me këtë vizitor për një periudhë nga 3 deri në 12 muaj.
Me anëtarë të familjes të së burgosurit nënkuptohen nëna, babai, fëmijët, motra, vëllai, bashkëshorti/ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›