E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti takim me bizneset,merr “OK” drafti për minierat



Diskutimi i projektligjit "Për sektorin minerar" ka vijuar dje me bizneset, një tjetër palë interesi kjo, pas konsultimeve të bëra disa ditë më parë me përfaqësuesit e pushtetit lokal të zonave minerare. Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë këtij takimi ka theksuar anët pozitive që ka ky ligj, sidomos në aspektin e eliminimit të abuzimeve me lejet minerare. Në këtë linjë kanë vijuar dhe propozimet e anëtarëve të Këshillit Konsultativ të Biznesit, të cilët nga ana e tyre kanë kërkuar vendosjen e kritereve më të forta në sektorin e shfrytëzimit të lejeve minerare. Aspekti tjetër në të cilën është ndalur diskutimi lidhej me risitë që sjell projektligji, të cilat ka preferuar t'i vërë në dukje ministri. Duke u ndalur te garancia financiare, Prifti theksoi se sipas këtij koncepti, një subjekt që kërkon të marrë një leje minerare duhet të plotësojë garancinë financiare. "Kjo konsiston në depozitimin në një bankë të 10 për qind të vlerës së investimit të parashikuar për lejet e shfrytëzimit, çka do sjellë dhe në eliminimin e mundësive që lejet minerare të jepen për kompani që nuk kanë mundësi t'i shfrytëzojnë ato. Në rast se subjekti minerar arrin që ta realizojë këtë plan investimi brenda vitit të parë, atëherë kjo shumë i kthehet", u shpreh kreu i Ministrisë së Ekonomisë. Duke vënë në dukje edhe një tjetër specifikë, ai vazhdoi se në draft janë përfshirë disa kritere në lidhje me madhësinë e sipërfaqes për një leje minerale. "Këto ndryshime janë të nevojshme për ta disiplinuar më mirë këtë sektor, në favor të shtetit, të kompanive që janë serioze, por dhe në favor të komunitetit e të pushtetit vendor", u shpreh Prifti. Anën teknike të projektligjit e prezantoi para Këshillit Konsultativ të Biznesit, drejtori i Politikave Industriale në ministri, Sokol Mati. Duke u ndalur te garancitë për rehabilitimin e mjedisit, realizimin e programeve të punës në lejet minerare dhe garancive për rehabilitimin e zonave të mbetjeve minerare, drejtori Mati theksoi impaktin pozitiv që do të ketë aplikimi i këtij ligji. Përfaqësuesit e biznesit, pas shpjegimeve kanë preferuar të bëjnë propozimet e tyre teknike ndërkohë që nga ana e ministrisë është garantuar marrja parasysh e çdo propozimi që bëjnë palët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›