E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patos e Cërrik, dhunohen dhe vidhen varrezat publike

20/01/2011  Në Cërrik arrestohen 2, vidhnin vazot e bronzit

Duket se fenomeni i dhunimit dhe bastisjes së varrezave publike po bëhet tashmë një fenomen i turpshëm që njeh rritje dhe shtrirje të hapësirës gjeografike. Njerëz të papërgjegjshëm duke e motivuar me fenomenin e varfërisë dhe të papunësisë kanë nisur “një profesion” të ri, atë të dhunimit dhe bastisjes së varreve publike dhe sidomos të sendeve me vlerë që i shesin më tej në treg të lirë. Në Patos shqetësimi vjen nga shumë qytetarë, të cilët kanë bërë madje edhe denoncimin në policinë e Patosit për dhunimin e varrezave të të afërmeve të tyre, të cilëve u janë marrë vazo dhe zbukurime kryesisht bronzi. Por asnjë emër dhunuesi apo grabitësi nuk ka dalë ende nga posta e policisë së Patosit, megjithëse janë bërë mbi 10 denoncime. Familjarët, të cilët ankohen për bastisjen e shëmtuar të varreve të të afërmve të tyre madje kanë shkuar edhe më tej duke i bërë një kërkesë Bashkisë së Patosit për vendosjen e një përgjegjësi apo rojeje që do të mundësojë ose të paktën minimizojë vjedhjen e hapur të këtyre varrezave. Ndërsa në Cërrik ky fenomen është shoqëruar me 2 persona të arrestuar. Burime zyrtare të policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se në orët e vona të mbrëmjes është njoftuar se janë bastisur varrezat e qyteti e vendosura në kodrën përbri qytetit. Menjëherë agjentët e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes ku kanë verifikuar thyerjen e pjesëve përbërëse të varreve dhe vjedhjen kryesisht të vazove prej bronzi apo pjesët e tjera prej bakri. Brenda pak orësh policia ka arritur të zbulojë, identifikojë dhe arrestojë autorët e këtij krimi mjaft të rëndë. Në prangat e agjentëve kanë rënë dy kushërinjtë Gazmir K. 23 vjeç dhe Fatjon K. 19 vjeç që të dy me banim në lagjen nr 3 Cërrik. Banorët e shqetësuar mbi gjithçka ka ndodhur, thonë se ata do të ndihmonin vjedhësit me para vetëm që ata mos të dëmtonin varret. “Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të dëmtohen varret. Të vjedhësh varret është mëkat i madh dhe nuk ndëshkohet vetëm me polici. Këta të rinj janë mallkuar për veprimin që kanë bërë”, thotë një grua teksa del prej varrezave. Sipas hetuesve, dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhunuar, prishur e vjedhur sende prej bronzi dhe sende të tjera pjesë e varreve të qytetit të Cërrikut. Dyshohet se mund të jenë ndihmuar nga persona të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, si dhe po hetohet nëse ka raste të tjera të ngjashme për vjedhjen e varrezave. Policia gjithashtu ka arritur të sekuestrojë edhe sasinë e sendeve të vjedhura. Dyshohen se janë dhunuar rreth 50 varre të kësaj varreze. L. LL, A. D

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›