E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria “Berisha” dhe frika nga Harvardi

Dritan Prifti 

Kam disa ditë që jam në Amerikë duke ndjekur nga afër fushatën zgjedhore presidenciale mes senatorëve Obama dhe Mccain, por sigurisht duke qenë i investuar me shpirt e zemër në politiken shqiptare, vazhdoj të ndjek zhvillimet në Shqipëri nëpërmjet internetit. Sot lexova për debatin e padenjë të Berishës me deputetët e PS-së, Balla dhe Malaj. Taulant Balla ndonjëherë e kalon kufirin me ngacmimet familjare ndaj kolegëve, por Berisha nuk ka asnjë justifikim të kalojë në primitivizëm. Më bëri përshtypje që Berisha i thoshte Arben Malajt që “të mos lodhet kot për të shkuar në Harvard”, por të votojë buxhetin e tij. Nuk e di sa Sali Berisha e njeh Universitetin e Harvardit në SHBA, sepse nga informacioni që kam unë, ai nuk ka shkelur asnjëherë në këtë universitet, as si vizitor.
Meqë unë kam studiuar në Universitetin e Harvardit, po përpiqem të hedh pak dritë se çfarë është ky universitet, çfarë do të thotë të studiosh aty dhe sa ndikohet politika botërore nga të diplomuarit në këtë universitet. E bëj këtë për t’i treguar gjithë shqiptarëve se nuk ka objektiv më të mirë për ata që dëshirojnë të studiojnë jashtë Shqipërisë se sa të studiosh në Harvard. Eshtë universiteti më i mirë në botë, i klasifikuar si i tillë nga të gjithë institucionet e klasifikimit arsimor të botës. Ë bëj këtë për t’i treguar politikanëve të rinj se të studiosh në Harvard mund të jetë investimi më i mençur dhe më i sigurt për një karrierë politike të spikatur. E bëj këtë për t’i thënë Berishës se nuk duhet të këtë frikë nga të arsimuarit në perëndim. T’i them atij se është i dështuar sepse për ministër Financash ka një që ka mbaruar Universitetin Bujqësor, për ministër Shëndetësie, një që nuk dihet çfarë shkolle ka mbaruar, për ministër Bujqësie një që s’kupton asgjë nga bujqësia dhe për Kryeministër vazhdon të mbajë veten, një kirurg zemre që s’kupton asgjë nga ligji dhe ekonomia.
Universiteti i Harvardit është themeluar më 1636. Harvardi është sot një universitet që menaxhohet me një fond mbi 30 miliardë dollarë, që bën këtë universitetin më të pasur në botë. Nga Harvardi janë diplomuar 7 presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë Presidentin Kennedy dhe George W. Bush. Në Harvard janë diplomuar dhjetëra presidentë apo kryeministra botërorë, përfshirë presidentin francez Shirak, apo kryeministrin grek Karamanlis. Në Harvard janë diplomuar Fan Noli dhe Faik Konica, dy figura të shquara të botës shqiptare. Në çdo ekip drejtues të Shtëpisë së Bardhë, do të gjesh ose presidentin ose zv/presidentin të ketë mbaruar Harvardin. Në Shtëpinë e Bardhë të Klintonit, Al Gore kishte mbaruar Harvardin. Në garën aktuale për President në SHBA, Barak Obama ka mbaruar Harvardin. Shanset janë që Barak Obama do jetë President, por dhe nëse nuk do të jetë, besoj që zv/Presidenti i John Mçain do jetë harvardist. Universiteti i Harvardit është një mit në Amerikë, por edhe në botë. Kur studion në Harvard nuk pranohesh për të studiuar një degë të caktuar. Në fakt në Harvard pranohesh për t’u bërë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të fuqishëm, njerëzish të ditur dhe me pushtet që pret mbështetje prej teje dhe të mbështet ty në çdo aspekt të jetës. Kur u pranova unë për të marrë master në Shkollën e Qeverisjes, Kennedy në vitin 1999, isha shumë i frikësuar nëse do kisha mundësi të përballoja peshën dhe vështirësinë e studimeve. Frikën që kisha unë, dhe besoj shumica e shokëve të klasës sime, ma hoqi që ditën e parë të shkollës me fjalimin e tij para studentëve, dekani i Shkollës së Qeverisjes Kennedy. Ai filloj fjalimin e tij duke thënë: “E di që të gjithë keni frikë dhe mendoni a do mund ta përballojmë dot këtë shkollë?”. “Unë po ju them, vazhdoi dekani, komisioni që ju zgjedh dhe ju pranon juve si studentë të Harvardit nuk gabon kurrë. Ai komision nuk zgjedh dështakë. Asnjë student në këtë auditor nuk do të dështojë sepse Harvardi nuk dështon në zgjedhjet që ju ka bërë juve. Kënaquni në Harvard, miqësohuni me njëri-tjetrin, sepse kjo do jetë pasuria juaj pas Harvardit.”
Nuk do ta harroj kurrë atë fjalim të dekanit, Joe Nye (ish/zv. sekretar i Mbrojtjes i SHBA). Ai vendosi një theks të madh në rrjetin e miqve që do krijonim gjatë këtyre studimeve. Dhe me të vërtetë unë në klasën time kisha senator nga Kolumbia, kongresmenë nga Meksika dhe Brazili, këshilltar presidenti të Filipineve, sekretarin e parë të Rinisë Komuniste të Kinës, kryetarë bashkish nga gjithë Bota, drejtues të NGO-ve me famë botërore, komandant ushtrie në Izrael etj., etj.  Nga shokët e klasës sime, sot Felipe Kalderon është Presidenti i Meksikës i zgjedhur mbi 1 vit më parë, Oby Ekzelchie u bë ministre Arsimi në Nigeri dhe tani zv/presidente e Bankës Botërore. Unë kam shokë klase në vende të larta të administratave politike në gjithë botën, nga Greqia në Hong Kong, nga Malajzia në Kanada etj., etj.  Profesorët që më jepnin mësim mua ishin p.sh., për lëndën Menaxhim i Ekzekutivit (Qeverisje), Mr. Thomas Axworthy – shef kabineti i Kryeministrit Kanadez prej 12 vjetësh. Kush tjetër mund të jepte këtë lëndë përveç atij që ka menaxhuar një qeveri prej 12 vjetësh? Lëndën e Tregtisë Ndërkombëtare e jepte Pierre Sauve – ish/kryenegociator i NAFTA (marrëveshjes se tregtisë së lirë SHBA-Kanada-Meksikë), marrëveshja më ë rëndësishme tregtare në Amerikën e Veriut në këtë shekull. Lëndën e Lidershipit Politik e jepte kongresmeni, Mickey Edwards.
Eksperienca e Harvardit do ishte fantastike për çdo politikan në Shqipëri. Harvardi të fut në një rrjet shoqëror që të duhet në çdo karrierë. Në çdo vend të botës të diplomuarit e Harvardit krijojnë klubet e Harvardit për t’u bërë strehë për harvardistët e gjithë kohërave, dhe për të nxitur shoqërinë drejt emancipimit dhe zhvillimit. Edhe Shqipëria ka klubin e saj të Harvardit, pjesë e të cilit jam unë dhe deputeti Arben Malaj. Eksperienca e Harvardit është fantastike për një politikan që kontribuon në Shqipëri. Vetëm duke përdorur rrjetin e të diplomuarve në Harvard, që sot janë në krye të gjithë bankave më të fuqishme të botës, në krye të korporatave ndërkombëtare më të fuqishme të botës, apo në krye të qeverive më të fuqishme të botës, një politikan qeveritar shqiptar mund të bëjë shumë.
Para 2 vjetësh Presidenti i Universitetit të Harvardit, Larry Summers, (ish-ministër Financash i Klintonit), bëri një koment jo të këndshëm për rolin e grave në politikë. Një javë më pas ai u detyrua nga komuniteti i harvardistëve të jepte dorëheqjen. Dhe pas tij presidente e Harvardit u zgjodh Dreë Faust – një grua historiane, aktiviste e shquar e lëvizjes së gruas në SHBA. Me këtë shembull dua ta mbyll hulumtimin e shkurtër mbi Harvardin. Kuptohet që Berisha nuk dëshiron të këtë politikane diplomantë të Harvardit në qeverinë apo partinë e tij. Nëse do të kishte, ai do detyrohej të jepte dorëheqje pas atyre sharjeve primitive në Parlament për gratë dhe motrat e kundërshtarëve politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›