E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri në lokal, 3 plumba ndaj babait të dy fëmijëve

Bulqizë Policia arreston autorin e dyshuar, Allaman Isakun, dhe shoqëron kushëririn e tij

Sherri banal në një lokal ka sjellë vrasjen e një 40-vjeçari, ndërkohë që policia ka vënë në pranga autorin. Vrasja ka ndodhur pasditen e djeshme në rrethin e Bulqizës, gjatë një grindjeje të çastit mes klientëve. Burimet policore lokale bënë të ditur se viktima është Skënder Cakoni, 40 vjeç, baba i dy fëmijëve, lindur e banues në fshatin Bazë të rrethit të Matit. Autor i dyshuar i krimit është 33-vjeçari nga Martaneshi i Bulqizës, Allaman Isaku. Burimet policore treguan se ngjarja ndodhi në orën 15.30 në një kafene në fshatin Krastë të Komunës Martanesh në Bulqizë. Policia ka marrë njoftim në sallën operative dhe menjëherë për në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë, duke nisur hetimet për këtë krim të rëndë. Sipas të dhënave të para hetimore, në lokal, në dy tavolina të ndryshme gjendeshin në njërën viktima Skënder Cakoni, baba i dy fëmijëve dhe në tjetrën, i riu Allaman Isaku, 33 vjeç, së bashku me kushëririn e tij. Ka qenë një sherr mes viktimës dhe kushëririt të Allaman Isakut, e lindur në kafene, për motive banale të çastit. Në këtë moment, Allaman Isaku është ngritur nga tavolina dhe i është afruar tavolinës ku gjendej Skënder Cakoni, duke nxjerrë një pistoletë nga brezi. Ai e ka qëlluar tri herë me pistoletë në bark babanë e dy fëmijëve, duke e plagosur rëndë. Dëshmitarët e tjerë në vendin e ngjarjes i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe në gjendje të rëndë për jetën është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku nuk arriti dot të mbijetonte. Nga ana tjetër, autori i ngjarjes dhe kushëriri i tij janë larguar me shpejtësi nga lokali. Policia tha se shumë shpejt i ka identifikuar dhe ka bërë rrethimin e zonës, duke i gjetur dhe shoqëruar të dy. Sipas të dhënave, Isaku është arrestuar për vrasje me dashje, ndërkohë që për kushëririn e tij, ende nuk është marrë ndonjë masë. Ai do të merret në pyetje për këtë ngjarje të rëndë, me qëllim për zbardhjen e plotë të vrasjes. Policia lokale tha se po heton edhe nëse krimi ka lidhje me ndonjë motiv të mëparshëm, ndërkohë që po punohet edhe për gjetjen e armës së krimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›