Prokuroria: Tenderi i këpucëve ishte paracaktuar
Një tjetër tender i zhvilluar nga Ministria e Brendshme dyshohet se është paracaktuar, duke shpallur fitues një firmë private që ka paguar ryshfet. Prokuroria ka përgjuar bisedat telefonike mes biznesmenit Ilir Sulo, sekserit Redi Popesku dhe zyrtarit të prokurimeve, Bujar Murati, duke zbardhur, sipas tyre, një pjesë të aferës, ku të pandehurit komunikonin me njëri-tjetrin për paracaktimin e fituesit për pesë lote të tenderit të “këpucëve”. Për këtë prokurim ishte dhënë një fond me limit rreth gjysmë milionë USD. Në fund të tenderit, firma fituese është shpallur ajo e biznesmenit Ilir Sulo. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, hetimet e mëvonshme do të përcaktojnë edhe rolin e të pandehurve në këtë aferë.
“Këpucët”Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, e pagëzuar si Task-Forca, ka hapur hetimet për zhvillimin e tenderit të veshmbathjeve për forcat e ushtrisë, policisë, tatimeve, doganave dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në këtë tender kanë konkurruar disa firma private dhe gjatë hetimeve, vëzhgimeve, përgjimeve janë zbuluar abuzime nga biznesmenët që kanë marrë pjesë si dhe nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme. Sipas organit të akuzës, krahas dosjes që është dërguar në gjykatë për tenderin e veshmbathjeve, një tjetër tender, ai i “këpucëve” po hetohet nga organi i akuzës. Sipas tyre, provat janë më së shumti përgjimet. Akuza deklaron se në datën 18 shtator 2009, ora 11:34, i pandehuri Ilir Sulo ka telefonuar shtetasin Redi Popesku, i cili ishte mik i përbashkët i tij dhe i Bujar Muratit, dhe i ka thënë që ta pyesë një herë Bujarin se çfarë po bëhet për tenderin. Iliri i thotë se Bujari i kishte thënë se do takohen pas një jave dhe se ndërkohë ai nuk po bënte asgjë. Telefonata e dytë është në të njëjtën datë, por në orën 19:03, ku i pandehuri Redi Popesku ka telefonuar Ilir Sulon dhe i ka thënë të hapë internetin se është bërë shpallja e fituesit të tenderit të këpucëve dhe se rezultatet, Iliri i ka në rregull “siç ia dha letrën” atij (Bujarit). Dy ditë më pas, në mesditë Ilir Sulo ka telefonuar të pandehurin Redi Popesku dhe ky i fundit i thotë se ai e ka mbyllur ashtu si donte telefonuesi.
“Veshmbathjet”Ndërkohë që “pazari” për tenderin e “këpucëve” kishte përfunduar, të pandehurit ishin në ankth për tenderin e veshmbathjeve. Nga përgjimet e akuzës rezulton se pas zhvillimit të tenderit, Ilir Sulo është interesuar në vazhdimësi për arsyet e mosshpalljes së fituesve nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik. Në bisedën e zhvilluar në datën 16 tetor 2009, Sulo i nervozuar për zvarritjen, i thotë Redi Popeskut se çfarë do bëjë ai miku i tij (Bujari) pasi ai thotë mirë, mirë dhe se u bënë dy muaj që ai u thotë mirë dhe nuk po bën asgjë. Redi i thotë se do ta bisedojë ai këtë punë. Pas rreth gjysmë ore, Redi i dërgon një SMS Bujar Muratit ku e pyet nëse do t’i japë një kafe dhe ky i përgjigjet më vonë pasi kishte punë. Në orën 11:11, Redi e merr Ilir Sulon dhe i thotë se çdo gjë është në rregull, pasi ai i ka thënë që kjo punë është e bërë. Po në këtë datë, pra më 16 tetor të vitit të kaluar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit të Prokurimeve të Përqendruara ka shkuar shkresa Nr.13234/3, datë 12.10.2009, e APP-së me të cilën njoftohet kjo drejtori për fillimin e hetimit administrativ për procedurat e tenderit objekt hetimi dhe pezullimin e procedurës së prokurimit. Sulo ka filluar të interesohet për arsyet e hetimit administrativ. Ai është takuar në datën 17 tetor 2009 me Redi Popeskun dhe Bujar Muratin, ka komunikuar në telefon me një të pandehur tjetër dhe i ka kërkuar shtetasit Redi Popesku të ndërhyjë tek drejtuesja e APP–së pasi, sipas Ilirit, ai ka marrë informacione për një person që nuk i ka qejf ata dhe mund t’u nxjerrë pengesa. Më pas, dosja është dërguar në prokurori dhe i gjithë aktiviteti është zbardhur nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës.
#