Pushuesi nuk jep letrat e makinës, ndiqet penalisht
I mërzitur nga kontrollet e shumta të policisë, një 26-vjeçar ka kundërshtuar uniformat blu kur i kanë kërkuar dokumentet, por kjo i ka kushtuar shumë. Bëhet fjalë për Erald Turdiun, i cili kishte shkuar me pushime në zonën e Golemit dhe ka fyer disa punonjës policie, të cilët i kërkonin dokumentet e makinës dhe të motorit të ujit. Burimet policore bënë të ditur se shërbimet e Komisariatit të Kavajës filluan procedimin penal në hetim të lirë, për shtetasin Erald Agron Turdiu, 26 vjeç, banues në Tiranë. “Procedimi penal ndaj tij filloi sepse ky shtetas, rreth orës 20:40, në zonën turistike Golem, Kavajë, gjatë një kontrolli të ushtruar nga Patrulla e Përgjithshme e Policisë, nuk ka pranuar të paraqesë dokumentet e një motori ujë që dispononte si dhe të një automjeti tip “BMW X5”, me targë 269 KS 393, të cilat ishin në pronësi të tij. Po ashtu, edhe gjatë shoqërimit për në ambientet e komisariatit, ky person ka fyer duke mos iu bindur urdhrave të punonjësve të policisë”, deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Qarkut të Tiranës. Megjithatë, të gjitha letrat e dy mjeteve i kishte të rregullta. Sipas të dhënave, ai ka deklaruar se gjatë gjithë ditës e kishin ngacmuar punonjësit e policisë, prandaj kishte kryer një veprim të tillë. Materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme prokurorisë, për konsumim të veprës penale të “fyerjes për shkak të detyrës” si dhe “mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
#