E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentatori tek 21 Dhjetori, në kërkim për një tjetër plagosje

Tiranë Policia dërgon për ndjekje penale ndihmësin e Rruzhdi Zokut

Personi që tentoi vrasjen e një 24-vjeçari dy net më parë në Tiranë, ishte në kërkim për një tjetër tentativë vrasje. Informacioni është dhënë zyrtarisht nga policia e kryeqytetit, e cila deklaroi se ngjarja e dy netëve më parë ka ndodhur për shkak të një borxhi. Gjithashtu, gjatë hetimeve, policia ka dokumentuar këtë ngjarje të rëndë, ku ka rezultuar se autori i saj, i cili është shpallur në kërkim, është ndihmuar nga një shok i tij. Ky i fundit është proceduar penalisht në gjendje të lirë për përkrahjen e tij. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se nga Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit po punohet intensivisht për kapjen e Rruzhdi Sami Zokut, 25 vjeç, banues në Peshkopi. Ky person dyshohet se dy ditë më parë, në rrugën “Artan Lenja” në Tiranë, në ambientet e një lokali, ka qëlluar me armë zjarri për motive të dobëta, duke tentuar të vrasë 24-vjeçarin Roland Haziz Doku, me banim në Tiranë, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Pas hetimeve të kryera për autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë, Rruzhdi Zoku, ka rezultuar se ai është person i shpallur në kërkim dhe i dënuar në mungesë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Durrësit, me vendim të datës 7 nëntor të vitit 2009, për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”. Dyshohet se ky person është përkrahur gjatë momenteve të ngjarjes nga Hajredin Laçi, 36 vjeç, i cili do të ndiqet në hetim të lirë për konsumim të veprës penale të “përkrahjes së autorit të krimit”. Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Për Rruzhdi Zokun, policia tha se dyshohet për “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe “trafikim të armëve dhe municioneve”. Sipas të dhënave, me të plagosurin ka pasur mosmarrëveshje për shkak të një borxhi. Kështu, pasditen e së hënës, ka shkuar në lokalin, ku qëndronte ai me dy shokët e tij dhe nga një makinë ka qëlluar katër herë me pistoletë. Dy nga plumbat kanë kapur të riun, i cili është dërguar me urgjencë për në spital. Policia tha se e ka marrë në pyetje të dëmtuarin në lidhje me këtë ngjarje dhe tashmë po punohet për kapjen e autorit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›