Berisha, NOVAMATIC, asistencë për lojërat e fatit
Kompania lider në botë për zhvillimin e pajisjeve të lojërave, NOVAMATIC, ofron asistencë edhe në Shqipëri. Kryeministri Berisha priti në një takim presidentin e kompanisë NOVOMATIC AG, Prof. Johann F. Graf dhe delegacionin që e shoqëronte. Prof. Johann F. Graf e njohu Kryeministrin Berisha me veprimtarinë e kompanisë së njohur në fushën e teknologjisë, NOVAMATIC AG. Kjo kompani është lider në botë për zhvillimin e pajisjeve të lojërave “high-tech” dhe sistemeve “multiplayer” dhe operon në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Përfaqësuesi i kompanisë NOVAMATIC AG ofroi asistencë për qeverinë dhe ekspertët në procesin e reformës në fushën e lojërave të fatit dhe basteve sportive. Kjo fushë po reformohet pothuajse në të gjitha vendet e zhvilluara. Kryeministri Berisha u shprehu përfaqësuesve austriakë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të reformuar sistemin aktual dhe adaptuar standardet më të përparuara evropiane, për sa i përket sistemit të monitorimit, licencimit etj.