Patozi: “Gjykata Kushtetuese dhe kolegji zgjedhor ndalojnë hapjen e kutive”

Mazhoranca hedh poshtë pretendimet e socialistëve, lidhur me legjislacionin për rinumërimin e votave
Partia Demokratike i jep përgjigje pyetjes së Edi Ramës se cili është ai ligj që ndalon hapjen e kutive të votimit. Kreu i grupit kuvendor të deputetëve demokratë, Astrit Patozi, i ka vënë në dispozicion Edi Ramës dhe të gjithë deputetëve të PS, përfshi edhe ata grevistë, se ndarja e pushteteve është e garantuar dhe se nuk mund të cenohet nga asnjë tekë e njërit apo tjetrit përfaqësues politik. Kolegji Zgjedhor, në mungesë të votave të kundërshtuara, konkludoi duke interpretuar kërkesën e socialistëve, se rinumërimi i votave dhe hapja e kutive, vlerësohet e paligjshme konceptualisht dhe në mungesë të rrethanave faktike të nevojshme për këto dy kërkesa, Kolegji ka arritur në përfundimin, se kur nuk ka mosmarrëveshje, nuk ka gjykatë”.
Deklarata e Astrit Patozit “Dje zoti Edi Rama, në podiumin e grevës së urisë, kërkoi publikisht nga Kryeministri i vendit që të tregojë se, cili është ai vendim gjykate që nuk lejon hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, duke gënjyer paturpësisht se një i tillë nuk ekziston. Në këto rrethana, ndjehem i detyruar të informoj shqiptarët, se në tryezën e organizuar nga Komiteti Presidencial i Këshillit të Europës, Edi Rama i drejtoi kryeministrit disa herë pyetjen se: ‘ku përmendet fjala gjykatë në vendimin e datës 4/12/2003 të Gjykatës Kushtetuese?’. Më pas, në mënyrën më të papërfytyrueshme, ai deklaroi se fjala gjykatë nuk përmendet në asnjë rresht të këtij vendimi. Në përgjigje të menjëhershme të këtij pretendimi mashtrues, Kryeministri i kërkoi këshilltarit të Presidentit të Republikës, zotit Spiro Peçi, vendimin në fjalë dhe lexoi prej tij sa më poshtë vijon: ‘Komisionet hetimore parlamentare, duhet të respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve, parim i cili nënkupton në mënyrë të veçantë, përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet autoritetit të Gjykatave dhe pushteteve të tjera’. Dhe më poshtë: ‘Element esencial i ndarjes së pushteteve është pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve. Vendimet gjyqësore mund të ndryshohet vetëm nga një autoritet më i lartë gjyqësor’. Për të vijuar me, citoj: ‘Këto parime, përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave’, dhe se: ‘Artikulimi i vlerësimeve kritike ndaj gjykatave nëpërmjet raporteve të komisioneve parlamentare, nuk është në përputhje me parimet kushtetuese’. Pasi kryeministri lexoi vendimin nr. 26 të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë të pranishmit, panë me habi nga zoti Rama, ndërkohë që, si një nga dëshmitarët e atij takimi, më duhet të konfirmoj se ky i fundit, as u skuq dhe as u zverdh. Dje kryetari i Partisë Socialiste, jo më në një dhomë të mbyllur, përsëriti kësaj radhë botërisht, të njëjtën pyetje: cili është ai vendim gjykate që nuk e lejon hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të votave? Në fakt, hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave nuk e ndalon vetëm vendimi Nr. 20, i Gjykatës Kushtetuese, por edhe vendimi i Gjykatës së Apelit, apo siç quhet ndryshe, i Kolegjit Zgjedhor... Vendimi i Gjykatës së Apelit më datë 27. 07.2009, e ndalon hapjen e kutive, duke rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, kur gjykon padinë për vendimin e KQZ-së, i cili kishte hedhur poshtë kërkesën e dy komisionerëve socialistë për rinumërim të votave. Kolegji Zgjedhor, hallka fundore që përcakton Kodi Elektoral, i miratuar me konsensus nga palët, shprehet si më poshtë: ‘Mund të rinumërohen vetëm votat e kundërshtuara gjatë numërimit dhe se kategoria e vetme e votave, e cila bart me vete mosmarrëveshje lidhur me vlerësimin e tyre, mbetet të jetë kategoria e votave të kontestuara. Kolegji Zgjedhor, në mungesë të votave të kundërshtuara, konkludon se, kërkesa e dy anëtarëve të KQZ, vlerësohet e paligjshme konceptualisht dhe në mungesë të rrethanave faktike të nevojshme për këto dy kërkesa, Kolegji ka arritur në përfundimin, se kur nuk ka mosmarrëveshje, nuk ka gjykatë’. Pas këtij përshkrimi të detyruar, sepse unë nuk besoj që ndonjëri prej jush ta ketë harruar ekzistencën e këtyre vendimeve, do t’i shtroja një pyetje të thjeshtë Edi Ramës. Këto janë dy prej niveleve supreme të sistemit gjyqësor të shtetit shqiptar. Këtu unë kam vendimet e tyre. Tani Edi Rama të na thotë se çfarë quan dhe pranon ai për gjykata: Asamblenë Parlamentare të Partisë Socialiste apo komitetin, përtej të majtës dhe të djathtës, që organizon protestat dhe grevat nga restoranti i Dy Kullave. Uroj pa shumë shpresë që ta gjejë një përgjigje”. Rajmonda Bulku: Rama, je i pashpirt. Gratë i do të jetojnë si burrat Deklarata e plotë e deputetes demokrate Mbyllja e grave socialiste në vetëflijim, tregon se për Edi Ramën nuk ekziston asnjë ndjesi humane “Jam këtu përpara për t’i thënë zotit Rama se ke hyrë në një rrugë të pashpirt e mizore duke futur gratë në grevë. Zoti Rama të ndrysh në grevë urie nëna me foshnje, gra me përgjegjësi familjare do thotë se në qënien tënde nuk ekziston asnjë ndjesi njerëzore. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e familjes e fëmijëve. Po të mendosh se çfarë terrori psikologjik krijon tek fëmijët duke i mbyllur nënat në vetëflijim, Kjo krijon një dramë, që nuk shërohet. Trauma e fëmijës do ta shoqërojë ne gjithë jetën e tij. A mendon t’i zoti Rama se ato vogëlushë të vegjël mendojnë se nënat e tyre po i çon t’i drejt flijimit? A mendon t’i zoti Rama se ato fëmijë gjatë natës kur mbyllin sytë kanë frikë se se nënat e tyre nuk do t’i kenë më pranë? Ky është një terrorizëm i vërtetë. Ti je një sadist dhe për shëndetin e secilit ti je përgjegjësi. A e kupton t’i zoti Rama se gratë nuk mund të jetojnë në kushte si burra? Zoti Rama nxirri këto nëna nga greva. Zoti Rama mos i mbaj si skllave. Zoti Rama t’i në fakt nuk e kupton se sa sublim është një fëmijë. Po ato zonja janë të frikësuara prej teje”.
...