Patozi: Hetimi ndërkombëtar, sfidë politike për opozitën
ADI SHKEMBI
Partia Demokratike nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për hetim ndërkombëtar, për çështjen “Fazlliç”. Pas deklaratës së Kryeministrit Berisha, për nxjerrjen e një dekreti i cili do të ligjërojë marrjen e ekspertëve të huaj, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, tha dje se kjo është një sfidë politike e qeverisë. Sipas tij, ekspertiza e huaj do të japë më shpejt rezultatet e hetimit. “Ajo që po kërkon qeveria është një sfidë e pastër politike, ku i thuhet opozitës se në rast se një për qind e pretendimeve të tyre qëndrojnë, ato do të verifikohen nga një trup hetuesish ndërkombëtarë dhe hetuesish shqiptarë, që do ta bënte më të shpejtë rezultatin e hetimit”, theksoi dje Patozi. Sipas tij, “hetimi ndërkombëtar bëhet me iniciativën e qeverisë për dy çështje, në mënyrë që ekspertët e huaj t’i bashkëngjiten trupës së ekspertëve shqiptarë, për të arritur në një konkluzion të përbashkët për implikimin e mundshëm të qeverisë në çështjen Fazlliç, si dhe është një sfidë e pastër që qeveria ia bën opozitës, dhe opozita duhet ta mbështeste, por në fakt ka ndodhur e kundërta”, pohoi Patozi. Nënkryetari i Partisë Demokratike, theksoi gjithashtu se lideri i opozitës ka frikë nga hetimi ndërkombëtar, pasi, sipas tij, rezultatet e hetimit mund të mos jenë ato që pret Rama. “Por me sa duket, zoti Rama ka frikë se mos përsëritet rasti Trebicka, përfshirja e një eksperti amerikan në të cilin solli rezultatin e padëshiruar nga zoti Rama, por ai ka frikë përfshirjen e hetuesve të huaj në hetimin e implikimit të mundshëm të qeverisë me Fazlliç, i druhet vendosjes së një standardi që mund t’i krijojë atij shumë andralla, për shkak të aferave të vjetra dhe të reja”, theksoi Patozi. I pyetur për deklaratën e ambasadorëve të BE-së, kreu i deputetëve demokratë tha se, “unë besoj që përplasa ndërinstitucionale është një çështje që nuk duhet të ndodhë, një histori e pakëndshme dhe për këtë kemi kërkuar një hetim parlamentar, që një grup parlamentarësh të nxjerrë konkluzionet e duhura se kush i ka përgjegjësitë dhe kush duhet t’i mbajë ato”.
Meta: Të gatshëm për mocion mosbesimi ndaj kryeministrit
Kreu i LSI, Ilir Meta, akuzoi dje Kryeministrin Berisha se po ndërhyn në pavarësinë e Prokurorisë. Meta u shpreh i gatshëm të firmosë mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Në një deklaratë për median, Meta tha se Berisha rinisi një sulm tjetër ndaj pavarësisë së këtij institucioni, duke e cenuar rëndë integritetin e Prokurorisë dhe duke marrë funksionet e saj, teksa deklaronte urdhërimin për një hetim ndërkombëtar për çështjen Fazlliç. “Qëndrimet e Berishës dhe deklaratat e para tri ditëve të ministrave të tij të Brendshëm dhe Drejtësisë, nuk lënë më asnjë dyshim se kjo maxhorancë tashmë ka përcaktuar Prokurorinë si një institucion që nuk duhet të funksionojë kurrsesi më si e pavarur, duke kërkuar ta kthejë atë si një bisht të këtij ekzekutivi të korruptuar”, tha më tej Meta. Sipas tij, kjo sjellje antikushtetuese dhe anti-institucionale e Kryeministrit, komprometon rëndë edhe iniciativën e tij për të bërë një ligj të ri për Prokurorinë, i cili, sikurse kemi denoncuar shumë qartë edhe më parë, ka si objektiv të vetëm eliminimin e pavarësisë kushtetuese të këtij institucioni jetik, në mënyrë që të paralizohen hetimet e pavarura për skandalet e qeverisë Berisha. Gjithashtu kreu i LSI-së mbështeti edhe deklaratën e ambasadës së SHBA-së si dhe deklaratën e djeshme të ambasadorëve të BE-së, ku kërkohet një sjellje institucionale të qeverisë në përputhje me Kushtetutën dhe mosbllokimin e institucioneve të pavarura që të bëjnë detyrën e tyre. Në këtë mënyrë, Ilir Meta, në emër të LSI-së, është shprehur i gatshëm të firmosë mocionin e mosbesimit ndaj Kryeministrit Berisha të propozuar nga kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi. “Jemi shumë dakord për çdo lloj mosbesimi ndaj Kryeministrit Berisha dhe jemi të gatshëm që ta firmosim që tani. Por, më duhet t’ju kujtoj se përpara se të hedhim firmat për heqjen e Kryeministrit Berisha, gjë që ne kemi qenë të gatshëm për ta bërë çdo sekondë pas tragjedisë së Gërdecit e në vijim, na duhet, për shkak të ndryshimeve kushtetuese që Berisha bëri bashkë me ndihmën e zotit Rama, që të mbledhim firmat dhe për kryeministrin që do të zëvendësojë Berishën. Sepse tani nuk na duhen më vetëm 71 vota, por na duhen 142 vota për të hequr Berishën. Pra, 71 për një tjetër, dhe 71 për heqjen e Berishës”, theksoi Meta.
“Të gatshëm për rrëzimin e Berishës”
Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, në mbështetje të deklaratës së ambasadorëve të BE-së, u shpreh se partia që ai drejton është për çdo lloj aksioni opozitar, dhe më gjerë qytetar, për rrëzimin dhe largimin e kësaj qeverie, të këtij klani mafioz”. “Zgjedhjet duhet të jenë akti i fundit i legjitimimit të një qeverisje të re në Shqipëri, të një shprese të re dhe këtë mund ta afrojë vetëm një e majtë e bashkuar, ku PSD është e gatshme të luajë rolin e saj”, tha Gjinushi. Sipas kreut socialdemokrat, “çështja Fazlliç tregon se Berisha është i komanduar dhe vegël e strukturave dhe lobeve antishqiptare, i atyre lobeve që e detyruan t’i shesë naftë Serbisë në ‘96-ën e të pengojë marrëveshjen e Rambujesë. Janë këto 2 çështje të fundit që kërkojnë hetim ndërkombëtar: nafta dhe Rambujeja e jo vjedhjet e pasurive e të ardhmes së shqiptareve nga klani i tij”.
BE: Qeveria të respektojë Kushtetutën
BLEDAR HOTI
Vendet e Bashkimit Evropian shprehen të shqetësuar për konfliktin ndërinstitucional në Shqipëri, duke paralajmëruar dhe një përshkallëzim të tij. Përfaqësuesit e vendeve të BE-së i bëjnë apel të fortë Qeverisë të respektojë Kushtetutën. Selitë diplomatike të BE-së në Tiranë shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me përplasjet e fundit mes Ekzekutivit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke iu bashkëngjitur qëndrimit të SHBA-së. Ambasada franceze në Tiranë, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së, ka bërë publike qëndrimin e saj për konfliktin më të fundit mes Prokurorisë së Përgjithshme nga njëra anë dhe Ministrive të Brendshme e të Drejtësisë nga ana tjetër. Ky qëndrim u mbajt pas një mbledhje të zhvilluar në ambasadën franceze me diplomatët e huaj të vendeve të BE-së në Tiranë.
“Ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë janë të shqetësuar në lidhje me zhvillimet e fundit me sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Këto zhvillime mund të sjellin ndërhyrje të tepërta dhe konflikte të mëvonshme mes institucioneve në vend”, thuhet në deklaratën e bërë publike për median. Ambasadorët e vendeve të BE-së në deklaratën e përbashkët, mësohet se i kanë bërë thirrje Ekzekutivit që të respektojë Kushtetutën e vendit. “Ne i bëjmë thirrje të fortë të gjithëve, kryesisht qeverisë, që të respektojnë dispozitat kushtetuese dhe parimet e mirëqeverisjes, pjesë e të cilave është dhe llogaridhënia përballë ligjit”, thuhet në këtë deklaratë publike për median. Reagimi i ndërkombëtarëve erdhi pas ndezjes së konfliktit në lidhje me çështjen e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç. Prokuroria e Përgjithshme tentoi që të ndalonte Fazlliç që ta merrte në pyetje, por një gjë e tillë nuk u realizua. Për këtë fakt organi i akuzës shqiptare bëri shkaktare Policinë e Shtetit. Më pas debatet përfshinë edhe Ministrinë e Drejtësisë, në lidhje me inspektimin e kërkuar nga ministri Alibeaj për çështjen e dosjes “Fazlliç”. Inspektimi nuk u lejua dhe kjo solli thellimin e përplasjes mes institucioneve shtetërore.
Qëndrimi i Qeverisë
Kryeministri Sali Berisha dy ditë më parë reagoi në lidhje me këtë hetim, duke u shprehur se do të kërkonte ndihmën e ndërkombëtarëve. Në një konferencë për shtyp, ai deklaroi se do të kërkonte hetim ndërkombëtar për këtë çështje. “Qeveria vendos të kërkojë hetim ndërkombëtar për problemet e dala ditët e fundit. Ky vendim nuk merret në mënyrë absolute, për morinë e shpifjeve dhe trillimeve të pafundme ndaj cilitdo person. Ky vendim merret për dy arsye: E para, në rast se faktohet se qeveria shqiptare i ka dhënë qoftë edhe 1 qindarkë të vetme nga fondet publike biznesmenit Damir Fazlliç, kuptohet se kjo qeveri i ka dhënë atij miliarda. Kjo është e detyrueshme për t’u sqaruar”, deklaroi Berisha. Ndërsa arsyeja e dytë për kryeministrin është se, “kanë ndodhur veprime shumë të rënda gjatë 4 ditëve të fundit, motivet e të cilave duhet të qartësohen. Është goditur biznesi shqiptar dhe ndërkombëtar, në mënyrën më të pabesueshme, janë ngrirë llogari, asete të kompanive dhe firmave, të cilat nuk kanë në këtë vend apo në ndonjë vend tjetër asnjë penalitet të vetëm”. PD-ja, si maxhorancë parlamentare, ka hedhur dhe idenë e krijimit të një komisioni parlamentar për këtë çështje. “Hetimi do të bëhet në kuadrin e asaj që po vazhdon nga Prokuroria, por këtë qeveria do ta bëjë sepse kjo ka implikime shumë të thella. Pra, komisioni parlamentar do të sqarojë disa momente mes Prokurorisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ne mbështesim plotësisht hetimin e institucionit të akuzës, ky do të jetë qëndrimi ynë. Nuk ka asnjë lidhje me persona të caktuar. Sali Berishën le të vazhdojnë ta akuzojnë”, deklaroi Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së.
Rama: Maxhoranca, zyrë avokatie për të mbrojtur sekserin e Ballkanit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi Kryeministrin Berisha se për shkak të interesave të tij personale dhe klanore po fut qeverinë dhe maxhorancën në një konflikt privat me Prokurorinë e Përgjithshme. Kreu socialist mbështeti deklaratën e ambasadorëve të BE-së ndaj sulmit të kryeministrit, institucioneve të drejtësisë. Ai e cilësoi thirrjen e BE-së si kambanë që bie për kryeministrin dhe si alarm për të gjithë qytetarët që duhet të jenë në front për të zmbrapsur dallgën e ngritur të presionit qeveritar. “Thirrja e BE-së sot është një tjetër shprehje e faktit që Berisha, për shkak të interesave ekskluzivisht personale e klanore të lidhura me botën e paligjshme ka futur qeverinë e vendit, maxhorancën në një konflikt privat me Prokurorinë e Republikës”, u shpreh Rama. kreu socialist akuzoi kryeministrin se po pengon reformat në drejtësi, duke kërcënuar në mënyrë të hapur Prokurorinë dhe duke mbrojtur biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç. “Për shkak të interesave private, ne sot po shohim një ndër shfaqjet më të turpshme që ka dhënë kjo shumicë qeverisëse. Ajo është kthyer në zyrë avokatie e një sekseri serb, i cili ka kthyer kryeministrin në një sekser për aferat e tij. Qeveria po kthehet në një trup avokatore që mbron nga Prokuroria një sekser të Ballkanit”, vazhdoi Rama. Duke u bashkuar me shqetësimin e ambasadorëve të BE dhe SHBA, kryetari socialist i bëri thirrje kryeministrit që të tërhiqet nga ky qëndrim dhe t’i drejtohet Prokurorisë për të dëshmuar për ngjarjet e fundit. “I bëj thirrje kryeministrit që të tërhiqet pa humbur kohë dhe të mos lëvizë jashtë kufijve të detyrimeve të tij ligjore, por të respektojë këtë shqetësim të SHBA dhe BE. Minimalisht të mbyllë gojën në raport me probleme e procese që nuk kanë të bëjnë me detyrimet e tij ligjore dhe të hapë gojën para prokurorëve dhe të tregojë gjithçka që di, për ato që janë kthyer aktualisht në shqetësim publik”, tha Rama. Sipas kreut socialist, “është koha për të nënvizuar edhe një herë vullnetin e palëkundur që t’i japim fund kësaj serie shfaqjesh të shëmtuara, që t’i japim fund kësaj mënyre qeverisjeje të vendit, që t’i japim fund traditës së konfliktit me institucionet e pavarura dhe të hapim një faqe të re”.