Topi me Napoletanon: Italia, avokatja e Shqipërisë në BE
ADI SHKEMBI
Ne do të mirëprisnim që Italia të ishte avokatja e Shqipërisë në mbështetje maksimale dhe intensive në procesin integrues të vendit në NATO dhe BE. Kështu i është drejtuar Presidenti Bamir Topi homologut të tij italian, Xhorxho Napoletano, në takimin mes tyre. Kreu i shtetit ka nisur dje një vizitë katër ditore në Itali, ku do të zhvillojë takime me personalitete të rëndësishme të vendit fqinj si dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të monumentit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu në Kalabri. Në takimin me Napoletanon, Topi e ka njohur homologun e tij me disa prej zhvillimeve më të fundit të brendshme në vend, duke vënë theksin në ecurinë pozitive të reformave kushtetuese, zgjedhore, në drejtësi, ekonomi etj. Gjithashtu kreu i shtetit ka shprehur besimin në ratifikimin e shpejtë të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga dy Dhomat e Parlamentit italian. Sipas zyrës së shtypit të Presidentit: “Topi shprehu dhe mirënjohjen për kujdesin e treguar nga qeveria italiane, si dhe për mbështetjen që ajo u ka dhënë dhe u jep emigrantëve shqiptarë, duke nënvizuar rëndësinë e veçantë që do të kishte dhe krijimi i kushteve më të favorshme për arsimimin në gjuhën shqipe”. Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Presidenti i Italisë ka vënë theksin tek integrimi i emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj. “Do të rikujtoja se përballë një fluksi të çrregullt emigrantësh nga Shqipëria, në ato vite që përmenda ka ekzistuar edhe rreziku i krijimit të një opinioni negativ e të gabuar publik në Itali. Këto rreziqe i kemi mënjanuar. Kemi punuar shumë së bashku dhe sot bashkësia shqiptare është një nga bashkësitë më të mirë integruara në vendin tonë, pa as edhe një hije tensioni dhe paragjykimi”, është shprehur Napoletano para mediave. Lidhur me takimin me Presidentin shqiptar, Napoletano tha se u diskutua edhe situata në Ballkanin Perëndimor. “Ndamë plotësisht mendimin se gjithë problemet e hapura në atë zonë, duke përfshirë edhe ato pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duhet të gjejnë zgjidhje në kuadrin evropian, në kuadrin e politikës së përbashkët evropiane”, theksoi kreu i shtetit italian. Ndërsa Presidenti Topi ka bërë publike para mediave ftesën për homologun e tij për të vizituar Shqipërinë. “Unë dëshiroj që edhe këtu para jush t’i bëj të njëjtën ftesë Presidentit Napolitano që të vijë e vizitojë Shqipërinë. Natyrisht zoti Napolitano ka qenë në Shqipëri, por kësaj radhe do të jetë me një cilësi të re: si Presidenti i Italisë, me të cilën nuk na bashkon vetëm distanca e afërt gjeografike, i njëjti ekosistem, jo vetëm detet tona të përbashkëta detet Adriatik dhe Jon, por një pafundësi vlerash të përbashkëta”, theksoi Topi. Në ditën e parë të vizitës në Itali, kreu i shtetit pati një takim me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini. Sipas njoftimit për shtyp, “Topi vuri në pah nevojën për liberalizmin e regjimit të vizave, duke patur parasysh bashkësinë shqiptare në Itali, e cila është e integruar plotësisht në jetën e këtij vendi, dhe theksoi se ky liberalizim do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, do të rriste edhe shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore etj.”. Presidenti i Dhomës së Deputetëve shprehu gatishmërinë e Italisë për të rritur ndjeshëm marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh, si dhe garantoi Presidentin Topi se vendi i tij mbështet fuqimisht përpjekjet integruese të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian.