Shpërthimi i gazit, vdes në Itali pronari, Beqar Cani
BERAT - Tragjedia e gazit në fshatin Lapardha të Beratit e çon në dy numrin e viktimave. Beqar Cani ndërroi jetë mbrëmjen e së hënës në spitalin e Brindisit. Cani nuk mundi t'u rezistojë plagëve të marra si pasojë e djegies në shkallë të rëndë nga shpërthimi i gazit në momentin kur do të furnizonte cisternën në pronësi të tij. Nga kjo ngjarje, e ndodhur më 29 shtator të këtij viti humbi jetën edhe vajza e tij 9-vjeçare, Ardenisa Cani, si dhe mbetën të plagosur bashkëshortja e tij, Suzana Cani dhe shoferi i autobotit që do të bënte furnizimin me gaz, Dashamir Ago. Këta të fundit u trajtuan në spitalin e Tiranës, pasi shkalla e djegies ishte më e lehtë. Ndërsa 37-vjeçari Beqar Cani u vendos të dërgohej për një trajtim më të specializuar në Itali, pasi mjekët tanë nuk dhanë shpresa jete këtu. Por pas 10 ditësh, ai ndërroi jetë. Familja e tij tashmë ka nisur procedurat përkatëse për sjelljen e trupit në Berat, nga ku do t'i jepet edhe lamtumira e fundit. Tragjedia e gazit sipas policisë, ndodhi për shkak se në momentin që do të bëhej furnizimi, tubat që përçonin gazit kishin rrjedhur. Pas kontaktit me disa shkëndija zjarri afër vendit, gazi mori flakë, duke shkaktuar dhe viktima. d.xh