Zhduket në Pogradec, gjendet pas dy muajsh në Kukës
POGRADEC - Zhduket në Pogradec, 17-vjeçarja gjendet pas dy muajsh në Kukës. Familja Molla nga fshati Vërdovë kishte denoncuar largimin e vajzës, duke kërkuar ndihmën e policisë. Kjo e fundit nisi kërkimet, duke shpërndarë fotografinë e adoleshentes në të gjithë komisariatet si dhe pikat doganore. Dy muaj pas zhdukjes, vajza është zbuluar nga policia e Kukësit, pikërisht në këtë qytet verior. Blutë e morën në pyetje nga ku ajo u konfirmoi se bashkëjetonte me të dashurin e saj pogradecar, me të cilin kishte ndërmend të martohej. Policia e Kukësit sinjalizoi Pogradecin dhe kjo e fundit familjen Molla për gjetjen e saj. Bashkë me dy vëllezërit e 17-vjeçares, blutë mbërritën në Kukës. "Ky është djali që dua. Kemi vendosur të martohemi", mësohet të ketë deponuar adoleshentja para policisë, në prezencë edhe të vëllezërve të saj. Fillimisht u dyshua për tentativë trafikimi të 17-vjeçares. Por djali pesë vite më i madh se ajo, emri i të cilit nuk bëhet i ditur ka mohuar këtë dyshim. Ai deklaroi para policisë dhe vëllezërve të vajzës, se do të martohej. Pas deponimeve, policia e Pogradecit, bashkë me "çiftin" dhe vëllezërit e adoleshentes u nisën drejt fshatit të saj të lindjes. Mësohet se pasi ishin larguar nga Pogradeci, ata kishin jetuar me qira në Kukës, nga ku pretendonin të kalonin në Kosovë. Pasi të pajiseshin me pasaportën e këtij shteti, do të emigronin në Evropë. j.gj