Rama, eurosocialistëve të Beratit: Së bashku për t‘i dhënë fund politikës së vjetër
Kryetari i socialistëve, Edi Rama, ka vazhduar turin e tij "Dialog me Shqipërinë", duke u ndaluar në qytetin e Beratit në një takim me të rinjtë e këtij qyteti. Rama është shprehur përpara të rinjve eurosocialistë se politika e vjetër po rrit një brez që kanë lindur në liri, por jo në demokraci. "Sot ne përballemi me vështirësi në banesën tonë, fëmijët tanë përballen me vështirësi që nga momenti që shkojnë në shkollë me kushtet e shkollimit, ju që dilni nga universitetet përballeni me mungesën e një vendi pune dhe kjo është Shqipëria jonë sot", iu drejtua Rama të rinjve të Beratit. Ju jeni larg të qenurit qytetarë evropianë, ndonëse jetoni në mes të Evropës, pasi në këto 17 vitet politikanët tanë nuk kanë bërë gjë tjetër veçse janë marrë me njëri-tjetrin duke na treguar nga televizori veçse konflikte si personazhet e "Big Brother". Sot ne duhet të jemi të bashkuar për t‘i treguar politikës se ne nuk jemi vetëm spektatorë, pasi politika është që gjithkush i përfshirë në të të bëjë diçka për fshatin, qytetin dhe elektoratin që përfaqëson. Nuk ka rëndësi nëse prindërit tanë janë socialistë apo demokratë, sot është e rëndësishme që të jemi të bashkuar për një ndryshim të madh, i cili ndonëse duket i vështirë, nuk është i pamundur. Ne duhet të ndryshojnë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, për mos ta parë vendin si të pamundur për të jetuar. Më tej Rama ka theksuar se duhet të bashkohemi të gjithë bashkë për të shkuar përtej të majtës dhe të djathtës, përtej kufijve që ka vendosur politika, që ka vendosur e gjithë kjo atmosferë, ku politika ndikon me helmin e saj të përditshëm. Unë nuk kam ardhur këtu t‘ju them se duhet të më besoni mua. Jam këtu t‘ju them, që ju duhet të besoni te vetja. Duke besuar te vetja të bashkoheni. Të gjithë së bashku të bëheni çdo ditë e më shumë, për t‘i dhënë jetë një politike të re, e cila në rast se do të jetë në duart e qytetarëve, do t‘i detyrojë ata që merren me politikë, duke marrë votat e qytetarëve, që të sillen ndryshe.