E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: “Miting një ditë pas PS-së”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi dje, se "mazhoranca ka qenë e hapur në të gjitha ofertat e saj për opozitën, duke respektuar të drejtën për të hetuar çdo pretendim të saj që nuk cenon Kushtetutën dhe rregullat e shtetit ligjor". Në një konferencë për shtyp, Patozi reagoi pas vendimit të Asamblesë Kombëtare të PS-së për rinisjen e protestave në datën 30 prill. Ai ka pohuar gjithashtu se Partia Demokratike do të organizojë miting në datën 1 maj, e vetëm një ditë pas Partisë Socialiste. "Ne nuk do të lejojmë që Edi Rama ta shndërrojë disfatën e tij personale në një dramë kombëtare. Refuzimi i prerë i ofertave tona serioze tregon se kryetari i PS-së është i vendosur për ti shkuar deri në fund aventurës së tij politike, duke u përpjekur pa sukses që më lëvizjet dhe qëndrimet e tij të dëmtojë me sa mundet imazhin dhe proceset integruese të Shqipërisë",- tha ai. Edi Rama është njeriu i krizës në Shqipëri, tha Patozi duke shtuar se "Asambleja e thirrur prej tij nuk prodhoi asgjë të re dhe asnjë befasi. "U shqiptuan të njëjtat slogane për gjoja transparencën dhe u theksua edhe një herë se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nuk do të lejohet të dalë nga kutia",- tha ai. Sipas Patozit, "protesta e 30 prillit, e paralajmëruar nga PS, do të ketë fatin e protestave të kaluara". "Gjeneratori i dëshpërimit, që po mban peng prej gati 8 muajsh forcën e vet politike, na tregoi edhe një herë, se nuk ka ndërmend tu japë mundësinë deputetëve të përfaqësojnë me dinjitet në Parlament zgjedhësit e tyre",- tha Patozi.

Ky lajm është publikuar: 28/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›