E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Opozita duhet të kthehet në Kuvend

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, e vlerësoi vendimin e BE-së për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, si "një nga momentet më të rëndësishme të procesit jetik dhe të pandalshëm të integrimit të vendit, duke shënuar njëkohësisht edhe një arritje impresionuese në kalendarin e sukseseve politike të kësaj maxhorance".
"Verdikti politik i Brukselit vjen pas një serie aktesh kulmore, që nisën me nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së, vijuan me ftesën për anëtarësim në NATO dhe kulmuan me anëtarësimin e shumëpritur në Aleancën e Veriut", theksoi Patozi gjatë një konference shtypi.
Sipas tij, "ky verdikt është mbi të gjitha një riçertifikim i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 28 qershorit". Duke u ndalur tek bojkoti parlamentar i opozitës, Patozi ritheksoi edhe njëherë ftesën e maxhorancës për t"i dhënë fund këtyre aksioneve të pajustifikuara.
"E ftojmë opozitën në parlament dhe kudo tjetër që të kryejmë të gjithë detyrimet tona në të mirë të vendit dhe të ndajmë dhe përgjegjësitë për çdo stad të rrugëtimit drejt Brukselit", theksoi Patozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›