Samiti i FAO-s, Topi takon Atin e Shenjtë, Papa Benediktin XVI
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, u takua dje paradite me Atin e Shenjtë, Papa Benediktin XVI në kuadër të Samitit Botëror të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së, (FAO). Ky samit po zhvillon punimet e tij për “Sigurinë e ushqimit” në Romë. Pas zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendëskryetarëve dhe aprovimit të Deklaratës së Samitit Botëror për “Sigurinë e Ushqimit”, Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI, i cili edhe hapi sesionin e parë plenar me fjalimin e tij, u takua me Presidentin Topi dhe Zonjën e Parë në mjediset e FAO-s në Romë. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, e falënderoi Atin e Shenjtë për ndihmesën e çmuar dhe rolin që Vatikani dhe kisha katolike kanë luajtur për ringjalljen shpirtërore dhe fetare të besimtarëve shqiptarë dhe të parimeve e vlerave të shenjta. Presidenti Topi dhe Ati i Shenjtë vlerësuan harmoninë, tolerancën dhe bashkëjetesën fetare që e shquan vendin tonë për sa u përket marrëdhënieve mes tri besimeve të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis feve. Ati i Shenjtë vuri në pah lidhjet e vjetra historike e kulturore të Shqipërisë me familjen evropiane, si dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për përmbushjen e aspiratës së popullit shqiptar për t’u bërë pjesë edhe zyrtarisht, përveç se gjeografikisht, e Evropës së Bashkuar. Në emër edhe të mbarë popullit shqiptar, Presidenti Topi e ftoi Atin e Shenjtë, Papën Benedikt XVI që të vizitojë vendin tonë, ftesë e cila u mirëprit me shumë kënaqësi nga Shenjtëria e Tij dhe kjo vizitë mbetet për t’u realizuar në një kohë të përshtatshme. Presidenti Topi u takua dhe u përshëndet ngrohtësisht edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, me Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, Jacques Diouf, me Presidenti slloven, Tyrk, atë brazilian, Lula si dhe me kryetarë të tjerë shtetesh e qeverish, të cilët përfaqësojnë vendet e tyre në këtë samit të rëndësishëm botëror për “Sigurinë e Ushqimit”.