Ekstradimet, Prokuroria, e paqartë në propozime
Komisioni i Ligjeve nisi dje shqyrtimin e projektligjit “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale” ose i njohur ndryshe si projekti i ekstradimeve. Ky projektligj u rikthye në Komision pas disa rishikimeve nga Ministria e Drejtësisë, pasi Prokuroria e Përgjithshme kërkoi të jepte propozime. Përfaqësuesi i Prokurorisë në Komisionin e Ligjeve, z. Serreqi, nuk dha propozime në lidhje me çështjen më të nxehtë të projektligjit, për sa u përket njoftimeve dhe procedimeve penale kur kërkohet nga institucionet e huaja homologe. Neni 38 i këtij projektligji u debatua gjatë në Komisionin e Ligjeve, ndërsa kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, kërkoi propozim nga përfaqësuesi i Prokurorisë, Seqerri. “Të lutem, më thoni një propozim në lidhje me këtë pikë”, - kërkoi Rusmali, ndërsa përfaqësuesi i Prokurorisë shpjegoi vetëm procedurën e vendeve të tjera. Rusmali tha se Prokuroria nuk është e përfshirë në këtë proces, pasi, sipas tij, strukturat policore janë ato që mbledhin informacionin. Ai e cilësoi si të pavend ndërhyrjen e Prokurorisë në këtë nen që ka të bëjë me kthimin e përgjigjeve për institucionet ndërkombëtare homologe të drejtësisë. Neni 38 përcakton mënyrën se si duhet të veprojë Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria në momentin që vjen një kërkesë nga një institucion ndërkombëtar për të kryer arrestimin e ndonjë personi. Ky nen u debatua gjatë, por u vendos që ministria ta riformulojë atë dhe ta shqyrtojë sot. Kreu i Komisionit kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që në rishikimin e nenit të përcaktojë qartë rolin e Prokurorisë në këtë proces. Ndryshimet parashikojnë zhdërvjelltësim të procedurave për të pasur ekstradime të shpejta.