E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Kjo etapë kërkon kontributin tonë



Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti dje kalimin e aplikimit të Shqipërisë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së, më 16 nëntor 2009. Përmes një njoftimi për shtyp, bëhet e ditur se Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet konkluzionet e takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, zhvilluar në kuadër të GAERC, ku, bazuar në kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim dorëzuar në emër të Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, Këshilli ftoi Komisionin Evropian të përgatisë opinionin e tij lidhur me këtë aplikim. Ky vendim hap siparin e një procesi intensiv, shumë kërkues dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ministria e Punëve të Jashtme falënderon vendet anëtare për këtë vendim, duke i siguruar ato se qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar të përgjigjet në cilësinë dhe kohën e duhur në këtë ushtrim dhe se do të intensifikojë të gjitha përpjekjet për të rritur dinamikën e marrëdhënies sonë me BE-në në përmasën e një partneriteti të mirëfilltë. “Ne jemi të ndërgjegjshëm se kjo etapë e re kërkon si kontributin, përkushtimin dhe seriozitetin e institucioneve shtetërore, ashtu edhe të institucioneve të pavarura, aktorëve të tjerë politikë, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në formën më gjithëpërfshirëse. Duke i siguruar të gjithë për gatishmërinë tonë të plotë për bashkëpunim të hapur dhe konstruktiv, i ftojmë ata të bëhen pjesë aktive e këtij procesi në shërbim të interesave kombëtare të vendit”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›