Topi: Sot jemi më afër integrimit në BE
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e cilësoi dje vendimin e BE-së si shumë të rëndësishëm, një vlerësim dhe besim ndaj përpjekjeve serioze të Shqipërisë dhe shqiptarëve për të arritur qëllimin madhor integrues për t’u bërë pjesë e Evropës së bashkuar. Z. Topi përshëndeti dje pranimin nga ana e anëtarëve të Këshillit të Bashkimit Evropian të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian. “Sot duhet të jemi sa të gëzuar, krenarë edhe të ndërgjegjshëm, sepse ndodhemi më afër integrimit, më afër miqve tanë dhe më afër popujve që standardet demokratike i kanë busull të ndërtimit të shoqërive të tyre. Dita e nesërme është fillimi i një angazhimi të ri cilësor dhe të përgjegjshëm për të gjithë shqiptarët”, - deklaroi z. Topi. “Unë mendoj se ne, të gjithë bashkë, jemi gati të përballemi me të”, - shprehet kreu i shtetit shqiptar në deklaratën e tij përshëndetëse për këtë hap historik të Shqipërisë në rrugëtimin e saj integrues për në gjirin e familjes së madhe evropiane.