Berati, KQZ ndan mandatet
Menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që la në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Qarkun e Beratit, anëtarët e këtij institucioni morën vendimin për shpalljen e mandateve, duke legalizuar rezultatin për Beratin. Në bazë të rezultatit përfundimtar për Beratin, Partia Socialiste ka marrë katër deputetë, tre Partia Demokratike dhe një Lëvizja Socialiste për Integrim. Erjon Braçe, Fidel Ylli, Ermonela Velaj dhe Marko Bello do të përfaqësojnë Partinë Socialiste, ndërsa nga kampi kundërshtar do të jenë Genc Pollo, Mehmet Xheka dhe Lefter Maliqi, si dhe deputeti i LSI-së, Nasip Naço. Për Qarkun e Beratit çështja shkoi deri në Kolegjin Zgjedhor, pasi Partia Socialiste pretendonte marrjen e një mandati tjetër në këtë qark. PS kërkoi rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në tre KZAZ së bashku me G99, si dhe rivlerësimin e votave të pavlefshme për të gjithë qarkun. KQZ rrëzoi kërkesën e këtyre partive edhe pse dy anëtarë të këtij institucioni, bazuar në Kodin Zgjedhor, kërkuan rinumërimin.