E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: PS ti kthehet bashkëpunimit, prej saj varet integrimi

18/01/2012  Demokratët i kërkojnë opozitës të jetë më e përgjegjshme

Demokratët shpresojnë në një ndryshim të qëndrimit të opozitës lidhur me marrëveshjen e 14 nëntorit të vitit të shkuar mes palëve për vijimin e reformave në vend, duke miratuar në Kuvend të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, një ditë pas seancës së parë parlamentare për këtë sesion të ri në prononcimin e tij të shkurtër për mediet tha se opozita është treguar e papërgjegjshme për vendimin e saj. “PS-ja hodhi poshtë një marrëveshje shumë të rëndësishme, dhe këtë e bëri me një lehtësi të habitshme. Dje gati na u tha se ‘nuk mund të respektohet një marrëveshje me armikun’ dhe unë kam përshtypjen se ky është koncepti që ka Edi Rama për kundërshtarin politik”, - tha kreu i parlamentarëve demokratëve. Në emër të selisë blu ai u shpreh i hapur për vijimin e bashkëpunimit dhe ndërkohë i kërkoi opozitës të pozicionohet qartë për këtë çështje, duke kujtuar se respektimi i marrëveshjes deri në fund mundëson marrjen e statusit nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat. “Uroj shumë që ky të jetë një qëndrim emocional dhe i përkohshëm e të kthehemi në hullitë e bashkëpunimit, pasi mendoj se opozita duhet të japë garancitë e saj nëse i qëndron apo jo marrëveshjes, çka flet edhe për seriozitetin e saj dhe mbi të gjitha a i qëndron apo jo axhendës së integrimit, e cila do të na mundësonte marrjen e statusit të kandidatit”, - vijoi Patozi. Marrëveshja e arritur PD-PS konsistonte në ngritjen e dy komisioneve parlamentare: një për reformën zgjedhore dhe një për rregulloren e Kuvendit, gjithashtu dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›