Patozi: Punësimi, nëpërmjet turizmit dhe bizneseve të reja
Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës, Astrit Patozi vizitoi qytetin bregdetar të Sarandës ku zhvilloi takime në qendrën e të moshuarve të qytetit, dhe bisedoi me të rinj e përfaqësues të biznesit të vogël. Gjatë bashkëbisedimit me ta, kandidati i PD dhe nënkryetari i kësaj partie u bëri atyre të ditur se qeveria gjatë mandatit të dytë do të tregojë vëmendje maksimale ndaj punësimit të qytetarëve nëpërmjet çeljes së bizneseve të reja dhe zhvillimit të turizmit. Para të rinjve sarandjotë, Patozi tha se e ardhmja e tyre i përket familjes evropiane.
Brenda vitit 2010, të rinjtë dhe mbarë shqiptarët do të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të zonës Shengen dhe brenda mandatit vitit 2013, Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plotë e bashkimit Evropian. Gjithashtu, prioritet për ne do të jetë edhe shkollimi, tha Patozi që informoi të rinjtë se vetëm për vitin 2009, nga buxheti i shtetit janë investuar më shumë se 60 miliardë lekë vetëm për arsimin parauniversitar. Ndërsa të moshuarit falënderuan kandidatin e PD për rritjen që qeveria i ka bërë pensioneve, Patozi i garantoi ata se rritja e pensioneve do të vazhdojë edhe gjatë 4 viteve të ardhshme duke rritur kështu nivelin e jetesës së moshës së tretë. Kandidati i PD veçoi si prioritet edhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore në gjithë qarkun e Vlorës, ku deri tani vetëm nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit nga viti 2005 në 2009, janë investuar rreth 9 miliardë.