Berat, caktohen qendrat e numërimit të votave, vonohet instalimi i kamerave
Katër qendra janë caktuar në qarkun e Beratit ku përmes kamerave do të përcillet numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Por procesi për instalimin e pajisjeve që do të kryejnë këtë monitorimin e votimit në kohë reale është në kohë të vonuar. Në 4 qendrat në Kuçovë, Berat, Urë Vajgurore dhe Çorovodë, vendet janë caktuar në pallatet e kulturës të këtyre qyteteve por veç sistemit të alarmit nuk është instaluar asnjë pajisje tjetër.
Në datën 28 maj të muajit të kaluar, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani iu ka përcjellë urdhrin njësive vendore në prefekturë dhe nënprefektura për marrjen e masave urgjente për caktim të vendeve dhe vendosjen e pajisjeve që do të monitorojnë procesin e zgjedhjeve. Në qytetin e Beratit ku vendi i numrit është caktuar në Pallatin e Kulturës Margarita Tutulani për shkak të një shfaqjeje ditën e shtunë që do të jap Arjan Cani , instalimi i pajisjeve është shtyrë për javën tjetër. Edhe pse në fillim ka pasur një debat midis Bashkisë dhe prefekturës, është vendosur që instalimi të kryhet javën që vjen. Nga ana e Bashkisë së beratit është kërkuar që të lihet për javën e fundit bllokimi I pallatit të Kulturës për faktin se gjatë fundjavës dhe këtyre ditëve ka pasur shfaqje të ndryshme kulturore. Po kështu dhe në qytetin e Urës-Vajgurore në pallatin e kulturës që nuk është në kushte cilësore, po kryhet thjesht transportimi i pajisjeve të kamerave, dhomave të fshehta dhe tavolinat e grupit të numërimit. Por në lidhje me plotësimin e kushteve nga këto ambiente, anëtar nga partia demokratike u shprehën se vendet janë zgjidhur duke u nisur se janë ambiente shtetërore dhe plotësojnë kushtet. Ndërsa përfaqësues nga partia socialiste pohojnë se sallat janë të mëdha por kushtet e ndriçimit lënë për të dëshiruar. Por këto defekte do të duket vetëm me mbarim të instalimit të pajisjeve që nuk kanë filluar ende, dhe që duhet të kishin filluar për shkak të afatit kohor. LSI e ka mirëpritur numërimin e votave përmes kamerave, duke e cilësuar një ogur të mirë për procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Por dhe këtë parti shqetësim janë vonesat e instalimit të pajisjeve monitoruese pranë vendeve të caktuara. Ky proces, që aplikohet për herë të parë në vendin tonë, do të nisë i njëjtë në të gjitha qendrat e votimit. Në 4 qendrat e qarkut Berat, në ambientet e përcaktuara do të instalohen kamerat, gjë që deri tani nuk ka filluar të bëhet në asnjë prej tyre.