KQZ: Partitë politike po rrezikojnë procesin zgjedhor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nge sërish shqetësimin se partitë politike kanë shkelur ligjin për sa i përket anëtarëve të KZAZ si në respektimin e kuotës së grave, ashtu edhe në vonesat në propozim. Këto janë disa fenomene që procesin zgjedhor në Shqipëri e vënë sërish në rrezik. Kjo jo vetëm për shkak të problematikës me mjetet e identifikimit, për të cilat opozita ka pretendimet e saj, por edhe për shkak të disa vështirësive që janë evidentuar nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në drejtim të krijimit dhe funksionimit të komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë.
Partitë politike, që në bazë të ligjit u ka lindur e drejta për të pasur anëtarë në komisionet e qendrave të votimit, kur ka kaluar çdo afat ligjor, nuk kanë paraqitur propozimet e tyre në më shumë se gjysmën e zonave të administrimit zgjedhor. Kreu i KQZ, Arben Ristani, ka lexuar dje para anëtarëve të tjerë të këtij komisioni dhe përfaqësuesve të forcave politike në të, një material përmbledhës që administrata kishte përgatitur lidhur me ecurinë e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore në bazë. Kështu, ai ka bërë të ditur se PD-ja, PS-ja, PR-ja dhe PSD-ja, nuk kanë zbatuar ligjin dhe nuk kanë paraqitur propozimet e tyre për anëtarë KQV-je. Aktualisht jemi shumë vonë, pasi kemi kaluar afatin ligjor dhe nga partitë politike nuk është respektuar ligji në këtë pjesë. Është shqetësim shumë i madh, sepse jo vetëm që duhet të bëhet gati procesi, por edhe duhen trajnuar komisionerët. Situata është e njëjtë për të gjitha forcat politike pa përjashtim. Janë në shkelje të ligjit të gjitha forcat politike sa i përket ngritjes së KQV-ve, u shpreh Ristani. Ndërkohë, shkelje janë evidentuar nga KQZ-ja edhe në drejtim të KZAZ-ve, për të cilat administrata kishte paraqitur një listë, ku përfaqësuesit socialistë nuk ishin paraqitur, ose ku PS-ja nuk kishte respektuar ligjin për kuotat e femrave.