E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Gërdeci”, në muajin shtator nis “sita e gjykimit” për të gjitha çështjet

Gjyqtarja Fatmira Hajdari shtyu dje seancën, në sallë asnjë nga palët

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjyqtarja Fatmira Hajdari u detyrua dje të shtynte seancën e parë gjyqësore ku palë në këtë proces janë ish-ministri Fatmir Mediu dhe Prokuroria e Përgjithshme. Shkak për këtë vendim kanë qenë mungesa në sallë e të dyja palëve. Sipas gjyqtares, ish-ministri nuk kishte marrë dijeni se seanca e parë gjyqësore ishte përcaktuar pikërisht ditën e djeshme. Këtë e vërtetonte mungesa e firmës së tij në fletë thirrjen e përgatitur vetëm pak ditë më parë nga Gjykata e Faktit të Tiranës. Ndërsa mos prezenca e palës së institucionit të akuzës u cilësua si e pajustifikueshme nga ana e gjyqtares për shkak se nuk kishte marrë asnjë lloj njoftimi prej palës së paditur. Gjyqtarja e shtyu procesin për në shtator të vijonte seanca e radhës. Kësisoj të gjitha çështjet për Gërdecin pritet që të nisin “sitën e gjykimit” një herë e mirë në muajin shtator të këtij viti. Ky proces pritej që të niste gjatë ditës së djeshme me kërkesë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Shkak për padinë e tij janë bërë disa veprime të Prokurorisë së Përgjithshme. Ish-ministri ka bërë padi më vetë për një nga drejtuesit e grupit hetimor që u mor me dosjen e tragjedisë së Gërdecit dhe një padi tjetër ndaj Kryeprokurores, Ina Rama.
Padia
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ngriti kallëzim penal ndaj Prokurores së Përgjithshme Ina Rama vetëm një muaj më parë. Ish- ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe njëkohësisht një prej të pandehurve të dosjes “Gërdeci” paditi Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Sipas akt padisë të depozituar në Gjykatën e Tiranës nga avokatët Visha dhe Serjani ajo akuzohet për shpërdorim detyre dhe zbulimin e sekreteve hetimore. Në cilësinë e provës avokatët kanë paraqitën cd e konferencës së 25 prillit 2008, ku kryeprokurorja njofton kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit. Ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu paditi penalisht për "shpërdorim detyre" Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama dhe drejtuesin e grupit hetimor të çështjes "Gërdeci", prokurorin Sokol Stojani.
Pretendimi
Avokatet e Mediut janë shprehur në mënyrë publike se Ina Rama ka nxjerrë sekretin hetimor gjatë një konference për shtyp, kur ka kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit Mediu. Në kallëzim pretendohet se Ina Rama dhe prokurori i çështjet, Stojani kanë shpërdoruar detyrën. Sipas Mediut, kërkesa për procedim penal ndaj Prokurores së Përgjithshme mund të realizohet pasi Ina Rama nuk gëzon ndonjë imunitet në këtë drejtim. Mediu ngriti padi edhe kundrejt prokurorit Stojani, kryetar i grupit të hetimit të çështjes “Gërdeci”. “Prokurori Stojani nëpërmjet ndërhyrjes me anë të të tretëve në një emision mediatik publik, për më tepër kur ‘puna’ e tij hetimore ka përfunduar dhe dosja i kaloi gjykatës, ka synuar diskreditimin publik të zotit Mediu për shkak të abuzimit keqdashës dhe jo transparent të të dhënave që ai disponon. Veprimi i zotit Stojani është jo vetëm i paligjshëm, por dhe i paprecedentë në historinë e prokurorisë shqiptare”, -është shprehur avokati Visha.

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›