Berisha: Po të më lejonte Kushtetuta do pranoja zgjedhje të reja
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha fton sërish opozitën për të bashkëpunuar në Parlament. Pak orë pasi KQZ-ja mori vendim për të shpallur mandatet në tre qarqet e fundit që kishin ngelur, kreu i qeverisë i bën thirrje pakicës të bashkëpunojë, pasi të lërë mënjanë, siç tha ai, trishtimin e humbjes. “E ftoj opozitën që të dalë nga sindromi i hidhërimit dhe i trishtimit që krijon humbja, që është e natyrshme, sepse askush nuk mund të thotë se e pret humbjen me buzëqeshje, por të dalë nga ky sindrom dhe të vendosë urat e bashkëpunimit në interesin më të mirë të pluralizmit politik dhe në interesin më të mirë të vendit”, u shpreh kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë, Berisha vlerësoi votimet në KQZ për shpalljen e mandateve, të cilat u bënë me votat e të gjithë anëtarëve të këtij institucioni. “Për herë të parë në historinë e një vendi fitimtari nuk shpall fitoren, por pret rezultatet, ndonëse ato kanë folur qartë që ditën e parë. Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një akt të përgjegjësisë më të lartë, me një akt unik, votoi 7 me 0 edhe mandatet që kishin mbetur pa u votuar, mandate të cilat ishin për shqyrtim”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Gjatë një konference për shtyp, një ditë para mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Berisha hodhi poshtë të gjithë zërat për ndërhyrjen e tij në punët e brendshme të kësaj partie. Kreu i maxhorancës së djathtë theksoi se të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe katër vjet më parë, kur Rama mori drejtimin e PS-së pas dorëheqjes së Fatos Nanos. “Unë nuk ndërhyj kurrë dhe këtë jua them në mënyrë absolute, në asnjë forcë politike, jo më tek PS-ja që është partia kryesore opozitare, por as edhe te një parti tjetër. Në konceptin tim kjo është amorale. Unë nuk e zgjedh kundërshtarin. Kundërshtar është ai që zgjedhin kundërshtarët e mi për kryetar dhe unë jam i detyruar ta respektoj vullnetin e tyre”, u shpreh më tej kryeministri Berisha.
Zgjedhjet e parakohshme
Duke komentuar deklaratat e kreut të Partisë Socialiste për mosnjohje të qeverisë dhe artikulimin e tezës së zgjedhjeve të parakohshme, Berisha e konsideroi këtë një kërkesë të gabuar. Sipas tij, nëse do ta lejonte Kushtetuta ai do të pranonte të hynte sërish në zgjedhje. “Po të kërkojë zgjedhje të parakohshme, bën gabimin më të rëndë, sepse po të më lejonte Kushtetuta i ripërsërisja 2007, 2009, sa herë të dilnim në garë. Zgjedhjet nuk ia dorëzoj kujt, po nuk i fitoi zgjedhjet nuk falen, nuk është e moralshme. Zgjedhjet e parakohshme, po të më lejonte Kushtetuta, që nesër i shpallja, dhe merrte një rezultat shumë më të thellë. Teknika e fitores është e lidhur me liritë, raportet me të cilën Rama i ka të vështira. Nuk fiton dot zgjedhje ai. Këto raporte i ka me trysni dhe tensione. Po të më lejonte Kushtetuta edhe zgjedhjet në katër muaj, ia pranoja”, u shpreh Berisha. Por në të njëjtën kohë ai i sugjeroi Ramës të mos ndiqte rrugën e PD-së në vitin 2001 pas zgjedhjeve të përgjithshme. “Në qoftë se zoti Rama do të përsërisë Sali Berishën, unë nuk i këshilloj atij shtigjet e vështira të Sali Berishës, se kam frikë se mbetet rrugës. Ai më mirë t’i përgjigjet thirrjes sime për bashkëpunim dhe shikim drejt së ardhmes. Viti 2013 është katër vite më pas, por larg nuk është. Unë do të filloj përgatitjet që tani. Edhe ai të fillojë përgatitjet”, u shpreh më tej Berisha. Duke u ndalur në zgjedhjet lokale të dy viteve të ardhshme, kreu i maxhorancës tha se PD-ja do të bashkëpunojë me LSI-në, por edhe me 17 parti të tjera parlamentare. “Tani ka një koalicion. Ka një situatë krejt tjetër, sepse në këto zgjedhje ne shkojmë së bashku me LSI-në dhe 17 forca të tjera politike. Unë jam njeri i koalicioneve. Do të përdor koalicionin, do ta zgjeroj atë”, theksoi kreu i maxhorancës.
“PD-LSI, koalicioni më efecient në histori”
Kryeministri Sali Berisha tha dje gjatë një konference për shtyp se koalicioni PD-LSI do të jetë më eficienti që shqiptarët kanë njohur ndonjëherë. Kreu i qeverisë iu përgjigj në të njëjtën kohë edhe akuzave të kreut të PS-së, Edi Rama,, që e quajti këtë një koalicion shtatanik. “Unë e kam deklaruar dhe shpreh edhe një herë bindjen se ky do të jetë koalicioni më eficient që kanë njohur shqiptarët. Zoti Rama bën fjalë për shtatanikë, unë do ta quaja pak i vonuar. Përse e thotë këtë, s’e marr vesh. Është një koalicion në kohën që i duhej vendit”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, prioritet i këtij koalicioni do të jetë punësimi. “E gjithë veprimtaria e qeverisë për katër vitet që vijnë do të jetë veprimtari që do të përqendrohet në këtë proces për të realizuar e përmbushur të gjitha detyrimet në mënyrën më të mirë e të shpejtë të mundshme, që Shqipëria të jetë e gatshme për verdiktin përfundimtar. Është punësimi një tjetër shtyllë e madhe e programit”, vijoi më tej Berisha. Kryeministri tha se bazë e programit të këtij koalicioni do të jetë pikërisht integrimi i vendit, duke garantuar ndërmarrjen e reformave për të përgatitur vendin për në Bashkimin Evropian.
“Ristani u sulmua në mënyrë të pamoralshme”
Duke iu referuar akuzave të PS-së ndaj KQZ-së, Berisha tha se, “u sulmua në mënyrën më të pamoralshme kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në një kohë kur është zgjedhur prej tyre ndërmjet tre kandidaturave. E vërteta është se kanë pasur tre opsione dhe vetë e kanë zgjedhur dhe mua nuk më lindi dyshimi pse e zgjodhën zotin Ristani. Shumë mirë që përcaktuan atë. Rama u përpoq të politizonte një institucion që dëshmoi një integritet shumë të lartë dhe këtë e faktoi kolegji gjykues elektoral, i cili refuzoi të gjitha kërkesat për rinumërim”.