BE pranon aplikimin e Islandës, shtyhet Shqipëria
Bashkimi Evropian do të shqyrtojë kërkesën e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, pasi të mbyllet procesi zgjedhor. Në përfundim të mbledhjes së ministrave të jashtëm, në deklaratën përfundimtare thuhet se BE do t’i kthehet shqyrtimit të aplikimit për anëtarësim të Shqipërisë, pasi të ketë përfunduar procesi i zgjedhjeve në vend. “I nisëm gjithashtu mesazh të qartë Shqipërisë se aplikimi i saj do të shqyrtohet sapo të jetë kompletuar procesi zgjedhor në atë vend dhe ne sot mirëpritëm sërish perspektiven evropiane të Ballkanit perëndimor”, ka deklaruar Cecilia Malmstrom, Ministrja Suedeze për Çështjet Evropiane. Ndërsa Carl Bildt tha se “siç e dini kemi dhe aplikimin e Shqipërisë, me të cilin nuk kemi mbërritur ende aty ku duhet”. Ndërkohë BE pranoi dje aplikimin e Islandës për anetarësim, e cila bëri kërkesën vetëm pak ditë më parë. Këshilli i ministrave te Jashtëm evropiane i kërkoi Komisionit që të përgatisë opinionin mbi aplikimin e Islandës për statusin kandidat.