E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfitimet financiare për punonjësit e ndërmarrjeve ushtarake

Mënyra, masa, procedurat e përfitimit të trajtimit të veçantë dhe kontributin e sigurimeve shoqërore

Laureta Rryçi

Tiranë - Ushtarakët që kanë qenë për vite me radhë pjesë e industrisë ushtarake me ligj përfitojnë trajtime financiare suplementare në krahasim me kategoritë e tjera. Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes shpjeguan dje për gazetën “Albania” se paraprakisht duhen plotësuar një sërë kriteresh për të përfituar paketën e plotë të trajtimit financiar. Sipas legjislacionit në fuqi kjo kategori ushtarakësh masën e përfitimit e kanë të barabartë me 70 për qind të bazës së vlerësuar, por jo më shumë se pensioni maksimal. Në rastet kur për llogaritjen e bazës së vlerësuar mungojnë dokumentet përkatëse, masa e përfitimit minimal përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Legjislacioni
Të gjithë personat, që përfitojnë trajtim të veçantë, sipas këtij ligji, kanë të drejtë ta marrin atë, deri në çastin e lindjes të së drejtës së një përfitimi nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë" ose deri kur ata bëhen ekonomikisht aktivë. Masa e këtij trajtimi indeksohet në vite, në përputhje me atë të pensioneve të pleqërisë. Personat, të cilët përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimeve shoqërore, përjashtohen nga përfitimet, sipas këtij ligji, me përjashtim të pensionit të pjesshëm të invaliditetit. Të gjithë ata punonjës, që dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit të ndërmarrjeve, prodhuese dhe riparuese, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk përfitojnë nga ky ligj, trajtohen për një vit me pagë, sipas vendimeve nr. 389, datë 8.8.2002 dhe nr. 695, datë 27.12.2002 të Këshillit të Ministrave.
Trajtimi
Periudha gjatë së cilës punonjësit përfitojnë trajtim të veçantë vlerësohet periudhë sigurimi dhe kontributet përballohen nga Buxheti i Shtetit. Për punonjësit, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake, masa e trajtimit të veçantë, e përfituar sipas ligjit nr. 9179, datë 29.1.2004 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, rritet 8 për qind. Përfitojnë trajtim të veçantë punonjësit e ndërmarrjeve të sistemit të industrisë ushtarake, të cilët: në datën 31.12.2002 kanë qenë në marrëdhënie pune ose janë trajtuar në bazë të vendimeve nr. 389, datë 8.8.2002 dhe nr. 695, datë 27.12.2002 të Këshillit të Ministrave në Kombinatin Mekanik në Poliçan, në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës, në Uzinën Mekanike dhe Uzinën e Pilave në Gramsh dhe në Uzinën e Riparimit të Avionëve në Kuçovë. Të njëjtin përfitim kanë edhe ata që kanë pasur një periudhë pune ose gatishmërie jo më pak se 15 vjet dhe periudhë sigurimi jo më pak se 18 vjet për gratë dhe periudhë pune ose gatishmërie jo më pak se 18 vjet dhe periudhë sigurimi jo më pak se 23 vjet për burrat, që nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike.

Box
Sqarime mbi të dhënat që vlerësohet trajtimi financiar
1. "Bazë e vlerësuar" është paga, sipas së cilës janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore nga data 1.1.1994 deri në ditën e fundit të lënies së punës.
2. “Periudhë gatishmërie" është periudha gjatë së cilës punonjësi është paguar me një pagë gatishmërie, me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore.
3. “Periudhë sigurimi" është periudha gjatë së cilës punonjësi ka qenë në marrëdhënie pune, si dhe janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore.
4. “Periudhë pune” është periudha gjatë së cilës punonjësi ka qenë në marrëdhënie pune në ndërmarrjet përkatëse ushtarake dhe periudha që është trajtuar me vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 389, datë 8.8.2002 "Për trajtimin e punonjësve, që dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit të Uzinës Mekanike Gramsh" dhe nr. 695, datë 27.12.2002 "Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 766, datë 8.12.1998 "Për pagesën e punonjësve të disa linjave teknologjike ushtarake të rëndësisë së veçantë"".
5. “Veprimtari ekonomike" është ushtrimi i çdo lloj veprimtarie, në të cilën personat janë në marrëdhënie si punëdhënës, të punësuar ose të vetëpunësuar, me përjashtim të atyre personave, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike si të vetëpunësuar në bujqësi.

Procedura për pension

Punonjësit, që kanë punuar në ndërmarrjet e industrisë ushtarake, që përfitojnë trajtim të veçantë, për pension dorëzojnë këto dokumente:

Kërkesën për përfitim (përfshirë dhe deklarimin nëse ushtron apo jo veprimtari ekonomike);

Certifikatën e lindjes, me fotografi;
Librezën e punës;

Vërtetimin nga organet e tatim-taksave, se nuk ushtron veprimtari ekonomike, si person fizik apo juridik.

Personi i interesuar paraqet një kopje të kërkesës për përfitim edhe në administratën e ndërmarrjes ku ka qenë vendi i fundit i punës së tij.

Administrata e ndërmarrjes së industrisë ushtarake, që ka qenë vendi i fundit i punës e të interesuarit, pasi shqyrton kërkesën, plotëson këto dokumente:

Vërtetimin për vjetërsinë në punë, ku përfshihen periudhat e sigurimit, të punës në ndërmarrjet e industrisë ushtarake dhe të gatishmërisë;

Vërtetimin e bazës së vlerësuar, për të cilën është derdhur kontributi i sigurimeve shoqërore, nga viti 1994 deri në çastin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.

Këto dokumente i dërgohen Institutit të Sigurimeve Shoqërore

Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën regjistrimin e dokumentacionit të mësipërm dhe ua dërgon drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore, ku është paraqitur kërkesa e personit të interesuar, për kryerjen e procedurave të përfitimit dhe të pagesës së tij.

Masa e përfitimit minimal, kur mungojnë dokumentet për llogaritjen e bazës së vlerësuar për përcaktimin e përfitimit, është 6 728 (gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet e tetë) lekë.

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›