Patozi: Rama në kërkim të kartës për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve
Astrit Patozi, anëtar i grupit parlamentar të PD-së, ka akuzuar kreun e Partisë Socialiste Edi Ramën, për njollosje dhe prishje të procesit zgjedhor. Gjatë fjalës së tij në parlament, deputeti Patozit ka theksuar se kreu i PS-së, është duke kërkuar një kartë për të pasur si justifikim humbjen e zgjedhjeve. Shqipëria do të votojë atëherë kur e përcakton kushtetuta dhe ligjet e vendit, dhe jo atëherë kur ti dalë frika Ramës. Mjekësia ende nuk ka shpikur ilaç çudibërës që ta kthejë frikacakun në trim, tha Patozi.
Sipas tij, Rama me legjendën me apo pa karta identiteti, është përpjekje për të degraduar debatet, që sot duhej bërë për vizionet dhe alternativat. Por, në këtë drejtim, deputeti demokrat shton se kreu i PS-së dhe opozita e kanë të vështirë të ballafaqohen me qytetarët. Opozita mungon në fushatë, në parlament, në debate politike. Ajo që po ndodh sot në Bashkinë e Tiranës është etalioni për vizionin e tij për të qeverisur. Rama është në hall për komisionin që do të ngrihet, theksoi Patozi gjatë fjalës së tij. Ai gjithashtu vlerësoi punën e qeverisë, e cila ka bërë gjithçka që çdo qytetarë të ketë mundësi për tu pajisur me kartë identiteti. Sipas tij i vetmi problem i pazgjidhur është paniku i Ramës, që u ka bërë thirrje socialistëve të mos shkojnë për të votuar. Por, Patozi thekson se nuk mund të kenë qenë të shumtë ata, që kanë dëgjuar Blushin nga Korça, i cili u ka bërë thirrje për të votuar si qytetarë normalë. Ndër të tjera, në fund të fjalimit të tij, Patozi është shprehur me bindje të plotë për arritjen e standardeve të kërkuara në këto zgjedhje, duke nënvizuar se halli i një personi nuk mund të kthehet në një problem për të gjithë socialistët.