E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi-Ruçit:Bashkëpunim për reformën zgjedhore

Mazhoranca i ka bërë ftesë sot opozitës për bashkëpunim për ndryshimet në reformën zgjedhore. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, me një letër drejtuar homologut të tij, Gramoz Ruçi thekson se mazhoranca është e gatshme të nisë sa më parë kontaktet në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt.
 

"Një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore të 8 majit në Shqipëri, është koha më e përshtatshme që të nisim bashkarisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013" thekson në letrën e tij Patozi.
 

Më tej në letrën e tij Patozi e ka informuar homologun e tij për vendimin e mazhorancës për të caktuar si negociatorë me opozitën për ndryshimet në reformën zgjedhore Oerd Bylykbashin dhe Viktor Gumin. Ai gjithashtu ka ftuar opozitën që të dyja palët t`i drejtohen me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që të asistojnë të gjithë procesin e reformës.
 

"Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, mbetem me shpresë se do të ketë një bashkëpunim të shpejtë dhe luajal mes forcave tona politike për këtë çështje", thekson në letrën e tij Patozi. Ndërkohë, Partia Socialiste ka emëruar Damian Gjiknurin dhe Vasilika Hysin, si të ngarkuar për të nisur kontatet me përfaqësuesit e mazhorancës për reformën zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›