Haxhinasto: Nuk kemi probleme me minoritetin
TIRANË: Zv-kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, zhvilloi dje takim me një delegacion nga Këshilli i Europës, anëtarë të Komitetit Këshillimor, të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve. Në këtë takim, Haxhinasto theksoi se Shqipëria është shembull i shkëlqyer për respektimin e minoriteteve, të feve, etnive, në rajon e më gjerë. “Respektimi i minoriteteve është një çështje fondamentale për politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë”, - tha më tej Haxhinasto. Në kuadër të çështjes së regjistrimit të popullsisë që do të kryhet në fillim të muajit tetor, Haxhinasto tha se censusi është në përputhje të plotë me standardet europiane dhe ofron garanci kundër çdo manipulimi. “Ligji për censusin është bërë në përputhje të plotë me standartet më të larta ndërkombëtare, dhe sigurisht, janë të gjithë mekanizmat për të bërë të mundur që të evitohet çdo lloj manipulimi apo çdo lloj keqraportimi, përsa i takon asaj që zonjat e nderuara thanë, pra, të drejtës së përfaqësuesve të etnive të caktuara, për të deklaruar ose jo atë etni të cilës ato i përkojnë. Pra, hapësira për manipulim është thuajse zero”, - tha Haxhinasto pas takimit.