Patozi: Zaganjori i plotësonte kushtet për kandidat konsensual
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi tha se opozita ishte kategorike në refuzimin e saj për Zaganjorin, edhe pse sipas tij ai ishte një kandidat që i plotësonte kushtet për të qenë konsensual.
Sipas meje sot u konsumua seria e dytë e një filmi të xhiruar në PS, që nuk ka lidhje me skemën e negociatave që zhvillohet në selinë e Kuvendit. Edi Rama ka marrë vendim për të bllokuar proceset. Sot erdhëm konkretisht me një propozim real, që kishte të bënte me një kandidaturë të formalizuar dhe të dakordësuar me aleatët e qeverisjes dhe na u tha e njëjta shprehja që nuk pranojmë kandidat të PD. Kandidatura i plotësonte kushtet për të qenë konsensual dhe për të marrë miratimin e opozitës. Kësaj mazhorance nuk mund ti mohohet e drejta e propozimit. Do ketë një propozim të parë dhe ky propozim erdhi nga mazhoranca, tha Patozi.
Zyrtari i PD u shpreh se në këtë mënyrë raundi i parë dështon.
Unë mendoj se mazhoranca ende duhet të konsumojë përpjekjet e saj për ta bindur opozitën që të përfshihet në proces sepse është në interesin e saj. Përgjigja refraktare dhe e ashpër e opozitës e bën të dështuar raundin e parë, por mendoj se në raundin e dytë kemi mundësi të kemi president konsensual.