E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: “Brenda javës do të diskutohen ndryshimet në rregulloren e Kuvendit”



Propozimi i deputetit të PD-së për ndryshimin e rregullores së Kuvendit do të diskutohet gjatë kësaj jave në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet në Kuvend. Këtë e ka konfirmuar dje vetë kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Beja, ndërsa deputeti i PS-së, Besnik Dervshi, kundërshton diskutimin e këtij propozimi në një kohë kaq të shkurtër. Nga ana e tij Beja shprehet se ndryshimi i rregullores së Kuvendit synon funksionimin sa më të mirë të Parlamentit në marrëdhënie me institucionet e tjera, ndërsa shton se duhet dhe mbështetja e opozitës, pasi rregullorja e Kuvendit nuk i përket vetëm maxhorancës. “Kjo nuk është çështje e një partie apo e një maxhorance, por është një çështje për funksionimin e Parlamentit si institucion në bashkëveprim me institucionet e tjera”, - është shprehur Beja, ndërsa ka sqaruar se “nga momenti që do të hyjë në fuqi rregullorja, çdo kandidaturë që do të vijë nga presidenti do të kalojë në atë procedurë që do të fiksojë Parlamenti në rregullore”, - është shprehur nënkryetari i Kuvendit. Ndërsa deputeti i PS-së Dervishi është shprehur se ndryshimi i rregullores së Kuvendit duhet diskutuar gjerësisht dhe nuk duhet të hyjë në procedura të përshpejtuara. “Rregullorja e Kuvendit ka vend edhe për mjaft rregullime të tjera, siç është reflektimi i ndryshimeve që janë bërë në Kushtetutë, që lidhen me nenin 100, 101 dhe 109 të Rregullores së Kuvendit, ndaj dhe duhet t'i nënshtrohet një diskutimi mjaft të gjerë. Propozimi ynë lidhet me emërimet që bën vetë Kuvendi i Shqipërisë për institucione mjaft të rëndësishme, si institucioni i Avokatit të Popullit, zgjedhja e 3 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku për fat të keq është një vend bosh për më shumë se 6 muaj, emërimet në të gjitha entet rregullatore që bëhen nga Kuvendi me propozimin e Këshillit të Ministrave, por natyrisht është edhe dhënia e pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës”, - sqaroi Dervishi. Po kështu Dervishi propozon që të organizohen seanca dëgjimore për anëtarët e dekretuar nga presidenti në mënyrë që deputetët të kenë mundësi të njihen me kandidatët për të cilët do të votojnë. Pavarësisht qëndrimit të opozitës, maxhoranca tashmë ka miratuar futjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit e propozimit të Bejës për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›