E Diel, 1 Nëntor 2026

Patrik Henri: Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji më mashtruan

Dëshmia para agjentëve të FBI-së e presidentit të SAC

Sipas dëshmisë së dhënë para agjentëve të FBI-së, presidenti i SAC-it, ka saktësuar se ishte mashtruar nga Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji. Mashtrim ky, që konsiston, në sjelljen e tij në Shqipëri për të demontuar municione të vogla, kontratën e lidhur mes tij dhe MEICO-së dhe më pas mes SAC-it dhe “Albademilit”, duke ia shitur dhe transferuar të drejtën e demontimit dhe çmilitarizimit të municioneve kompanisë së Delijorgjit, e cila nën emrin e SAC-it amerikan ka përfituar shuma të mëdha parash, duke mos ia kaluar SAC-it të ardhurat që i takonin sipas kontratës. “Kam shkuar në Shqipëri gjashtë herë duke qëndruar gati 20 ditë. Udhëtime këto që kanë konsistuar në takime me Ylli Pinarin dhe më pas me Mihal Delijorgjin e Dritan Minxollin. Shumica e këtyre takimeve është kryer në kafe dhe restorante dhe pak takime në zyrat e MEICO-s. Pinari, më sugjeroi të kisha një ortak në Shqipëri, pasi i vetëm do të cilësohej puna ime e paligjshme. Ai më prezantoi Mihal Delijorgjin, me të cilin, sipas direktivave dhe udhëzimeve të Pinarit, nënshkrova kontratën e parë. Më 6 qershor 2006 kam firmosur kontratën mes SAC-it dhe MEICO-së, më 7 qershor mes meje dhe “Albademil”-it, e cila do të siguronte fonde për ndërtimin e fabrikës. Unë kam paguar në SHBA, rreth 860 mijë dollarë amerikane. Deri më tani, nuk kam marrë asnjë qindarkë, as për makineritë që dërgova në Shqipëri, as nga të ardhurat e materialit të skrapit të mbetur dhe as nga përqindja e aksioneve që kisha me ‘Albademil’-in” ka thënë ndër të tjera presidenti i SAC-it, Henri. Ai tha se ditën e shpërthimit, më 15 mars 2008 kishte rreth 520 tonë barut të municioneve të kalibrave të vegjël.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›