E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robson: Kapelo nuk më bind, më mirë një trajner anglez

Sër Bobi Robson mendon se kombëtarja angleze duhet të drejtohet nga një trajner britanik dhe ka bërë të ditur se Garet Sauthgeit është një alternativë për të ardhmen. Ish-trajneri i përfaqësueses angleze ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Fabio Kapelos, pasi ai nuk di të flasë anglisht, ndërsa do të kishte preferuar që kombëtarja t‘i jepej Xhovani Trapatonit. Në një editorial të publikuar në "Mail on Sunday", Robson ka bërë të qartë se alternativat më të mira janë ato vendase. "Ne kemi shumë talente në kampionatin tonë, pse të kërkojmë jashtë tij? Personalisht do të preferoja një trajner anglez, apo të paktën britanik. Mark Hjugs apo Martin O‘Nill do të kishin qenë në të njëjtën lartësi sa trajnerët e huaj. Herri Redknap nuk do të kishte qenë gjithashtu një zgjedhje e keqe. Por Federata vendosi të shihte jashtë kufijve dhe foli me Kapelon, me një karrierë të pasur te skuadra të mëdha si Real Madrid, Roma, Juventus. Ai ka qenë i suksesshëm atje, ndaj e zgjodhën. Por prisni dhe shihni, unë nuk jam aq i sigurtë në suksesin e tij", tha Robson. Sipas legjendës së futbollit anglez, Xhovani Trapatoni do të kishte qenë një alternativë shumë më e mirë se bashkëkombësi i tij Kapelo. "Ai ka shumë përvojë, ka një karrierë të pasur, një CV të mirë, ka qenë në klube të mëdha dhe e flet anglishten shumë mirë, të paktën më mirë se Kapelo. Në fakt, Kapelo nuk e flet gjuhën angleze, apo jo? Në pushimin e ndeshjes, si mund t‘ua komunikosh taktikën lojtarëve kur nuk mund t‘i flasësh atij", ishte kritika e drejtpërdrejtë e Robson ndaj trajnerit aktual të kombëtares angleze. Ai ka vazhduar më tej, duke bërë të qartë se aktualisht po dilte një emër i ri në skenë, ai i Gareth Sauthgejt, i cili një ditë do të bëhej trajneri i përfaqësueses dhe do ta ndihmonte atë për të gjetur fizionominë e saj. "Gareth Sauthgejt do të bëhet një trajner i shkëlqyer i kombëtares angleze. Ai komunikon mirë, ka luajtur me përfaqësuesen angleze dhe është një djalosh i edukuar. Mendoj se do të mësojë zanatin te Midëllsbrou, do t‘i qëndrojë besnik kësaj skuadre, por, në fund, do të lëvizë drejt një detyre shumë më të rëndësishme", përfundoi Robson, duke aluduar për emërimin e tij si trajner i përfaqësueses angleze pas largimit të Kapelos.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›