E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patriotët e Ferizajt

Përfaqësuesit e LDK-së janë treguar më të zëshëm kundër kërkesës së shoqërisë civile në Ferizaj për ta shpallur “Qytetar Nderi”, drejtuesen e Fondit për të Drejtat Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq. Kjo aktiviste është dalluar me angazhimin e saj në mbrojtjen e të burgosurve nga kjo komunë, të njohur si Grupi i Ferizajt. Disa nga të vrarët e këtij grupi, më vonë u shpallën si dëshmorë të kombit, ndërsa disa të tjerë që arritën të shpëtojnë, lirinë e gëzuan pas vitit 2000.

Nisma për ndarjen e çmimit “Qytetar Nderi” të Komunës së Ferizajt kishte nisur vitin e kaluar nga shoqëria civile, përkatësisht nga organizatat joqeveritare INPO, AVONET dhe IRQ. Kjo nismë ishte mbështetur edhe nga klubi i gazetarëve “Haki Braha” nga Ferizaj. Për shkak të kësaj nisme, vitin e kaluar humanistja e njohur Natasha Kandiq, kishte vizituar qytetin e Ferizajt, ku ishte takuar me disa nga të burgosurit e Grupit të Ferizajt, në mbrojtjen e të cilëve ishte angazhuar ajo.

Në mars të këtij viti, shoqëria civile i ka bërë një kërkesë me shkrim Kuvendit Komunal të Ferizajt dhe ka kërkuar që Kandiq të shpallet “Qytetar Nderi”. Të mërkurën INPO-ja ka bërë publike letrën, përkatësisht përgjigjen që ka marrë nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Agim Aliu, me të cilën shoqëria civile njoftohet se nuk ka kaluar kërkesa e tyre.

Në përgjigjen e KK-së shkruan se më 12 maj është mbajtur një takim ndërmjet grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve të Komitetit për Politikë dhe Financa, ku u mor qëndrim i përbashkët që “kjo çështje të mos procedohet më tutje në këtë kohë dhe të kërkohet ndonjë kohë tjetër dhe formë tjetër”.

Përgjigja e KK-së e shkruar me një gjuhë përplot ekuivoke, ka dëshpëruar shoqërinë civile në Ferizaj. Aktivistët e INPO-s e kanë vlerësuar këtë si një hap mbrapa në zhvillimet demokratike dhe humane, duke e cilësuar si një tendencë që edhe individët të cilët u angazhuan dhe u dëshmuan në veprimtaritë e të drejtave të njeriut, të identifikohen si pjesë e fajit kolektiv.

INPO-ja ka vendosur që pas këtij refuzimi të KK-së t’i drejtohet me një kërkesë kryetarit të Komunës, Bajrush Xhemailit dhe të kërkojë nga ai që në bazë të autorizimeve që ka, të marrë një vendim për shpalljen “Qytetar Nderi” të Natasha Knadiqit.

Duhet theksuar se Natasha Kandiq, ndër 20 çmimet ndërkombëtare, ka edhe çmimin “Qytetar Nderi” e Sarajevës që në vitin 2005, ndërsa është nderuar me një çmim edhe në Kroaci.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›