E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Krushqit” prangosin trafikantët, çonin drejt Greqisë ilegalisht edhe të mitur



KORÇË – Tre persona të akuzuar për trafik ilegal drejt Greqisë kanë rënë dje në pranga. Gjithçka u bë e mundur pas marrjes e dëshmive të 20 klandestinëve që tentuan të kalonin në shtetin fqinj. Mes tyre ka pasur edhe të mitur. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Korçës pohojnë se në kuadër të operacionit të koduar “Krushqit”, u ndaluan mëngjesin e së shtunës shtetasit Tomor e Haxhi Malo dhe Altin Lifo, që të tre me banim në Ersekë. Sipas tyre, tre të arrestuarit janë vënë në pranga me akuzën e “dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit”. Gjatë realizimit të operacionit policia sekuestroi në cilësinë e provave materiale dhe pesë telefona celularë dhe një fugon me targa ER 005 A. Gjatë aksionit uniformat blu kanë shoqëruar edhe 20 klandestinë, që u gjendën në fugonin e sekuestruar. Nga klandestinët e shoqëruar 6 prej tyre ishin fëmijë të moshës nën 10 vjeç, që dyshohet se ishin duke u trafikuar. Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje, pasi dyshohet për një rrjet ndërkombëtar të trafikut të klandestinëve. Brenda këtij muaji ky është rasti i tretë i kalimit të emigrantëve ilegalë në mënyrë të organizuar drejt Greqisë. Të dhënat flasin për një zhvendosje të kanaleve të trafikut klandestin nga Saranda dhe Gjirokastra drejt Korçës.

Vdes gjatë rrugës për në spital 46-vjeçarja, dyshohet për vetëhelmim

ELBASAN – Edhe një tjetër person i ka dhënë fund jetës këto javë të para të vitit të ri, duke iu shtuar numrit të viktimave vetëvrasëse. Rasti më i fundit është regjistruar në Elbasan, ku burimet policore sqarojnë se shtetasja Elisabeta Çela ka ndërruar jetë teksa po transportohej për në spital. Sipas tyre, shkak ka qenë përdorimi i një substance helmuese të rrezikshme. Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës në fshatin Katund i Ri. Ekspertët nuk kanë përcaktuar llojin e lëndës helmuese që ka përdorur gruaja e martuar, por dyshohet që ky veprim të jetë marrë në rrethana depresive. Familjarët nuk kanë dhënë asnjë motiv deri tani.
Dy ditë më parë një tjetër femër tentoi t’i japë fund jetës në Durrës. Ndërsa që më 1 janar statistikat flasin se çdo ditë një person është vetëflijuar në rrethana dhe motive nga më të ndryshmet.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›