E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet në Peqin dhe Tiranë, 2 vdesin, 2 plagosen rëndë



Tiranë – Dy të vdekur dhe dy të plagosur ka qenë bilanci i aksidenteve të rënda në Peqin dhe kryeqytet, ndodhur gjatë 48 orëve të fundit. Burime policore thanë për gazetën se më i rëndë ka qenë aksidenti i mbrëmjes së dy ditëve më parë në aksin rrugor Peqin-Rrogozhinë, ku automjeti tip “Benz” me targë PE 24 93 A, i drejtuar nga Taulant Jonuzi, është përplasur me një autobus udhëtarësh me targë LU 71 05 D. Si pasojë e përplasjes fatale ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i makinës, ndërkohë që kanë mbetur të plagosur rëndë dy udhëtarë që ndodheshin me të.
Të lënduarit kanë dërguar në Spitalin e Lushnjës dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje shkoi policia dhe një grup hetimor. Nga të dhënat e para rezulton se shkaku i aksidentit ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, ndaj dhe është vënë në pranga shoferi i autobusit, Milto Prençe, 58 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë. Ndërsa tragjik ka qenë edhe fati i të moshuarit Bashkim Haxhi, i cili është aksidentuar nga Gjon Gjoka, 40 vjeç, banues në Tiranë.

Ndalohet 46-vjeçarja, përdori mbesën për prostitucion

ELBASAN – Një 46-vjeçare nga Elbasani është ndaluar pasi dyshohet se ka përdorur për qëllime prostitucioni mbesën e saj. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Elbasanit pohojnë se është ndaluar shtetasja Vule C., lindur në Mollas e banuese në Lagjen Nr. 3 Cërrik. Sipas tyre, disa ditë më parë, ndaj kësaj shtetaseje ishte bërë denoncimi nga një 17-vjeçare me inicialet K. SH., banore e lagjes “Haxhias” në qytetin e Elbasanit, që është edhe mbesa e saj. Pas kallëzimit, efektivat blu të Sektorit të Antitrafikut nisën hetimet duke e akuzuar më pas 46-vjeçaren për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese. Nga dëshmitë e vajzës mësohet se gruaja i gjente klientët dhe më pas i merrte paratë. “46-vjeçarja Vule C. është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit”, -thuhet në komunikatën e Policisë. Burimet sqarojnë se gruaja e ka shfrytëzuar vajzën për 4 muaj, duke e detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me klientët që i gjente vetë, duke përfituar para nga një aktivitetet i ndaluar me ligj.

Nëna braktis foshnjën, e la buzë lumit, sapo doli nga materniteti

LEZHË – Një nënë, sapo ka dalë nga materniteti, e ka braktisur, duke e lënë buzë lumit, foshnjën e saj. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Lezhë bëjnë me dije se dje pasdite është gjetur nga kalimtarë të rastësishëm, në shtratin e lumit Drin, pak metra nga Spitali Gjinekologjik i Lezhës, një fëmijë disa ditësh. Pas telefonatës që ka mbërritur në komisariat, uniformat blu nisën hetimet për këtë çështje. Burimet policore sqarojnë se është marrë në pyetje personeli i maternitetit dhe personat që e gjetën foshnjën e pajetë. Dyshohet se nëna, pasi e ka lindur në maternitet foshnjën, kur ka dalë, e ka lënë në bregun e lumit dhe më pas është zhdukur. Sipas policisë, nuk përjashtohen edhe pista të tjera, ndaj dhe zbardhja e ngjarjes pritet të bëhet nga hetimet e mëtejshme. Ky nuk është i pari rast, pasi pak javë më parë u gjet një foshnje në periferi të Durrësit nga disa fëmijë në një grumbull plehrash.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›