E Diel, 1 Nëntor 2026

PatushiA: Asnjë kontrat me Partizanin

13/05/2005  Mesfushori i Tiranës ka mohuar çdo lloj kontakti me presidentin e Partizanit, në lidhje me një transferim të mundshëm të tij te të kuqtë

Merkato “zien” dhe Partizani vazhdon të mbetet lider në këtë drejtim. Skuadra e kuqe, e dalë jashtë çdo objektivi në këtë sezon, po mendon për të fuqizuar radhët për të qenë më kompetitive në sezonin e ardhshëm. Edhe pse askush nga zyrtarët e skuadrës kryeqytetase nuk pranon të bëjë të ditur emrat konkretë, shumë të tillë përfliten çdo ditë në ambientet stërvitore të të kuqve. Të fundit emra të dalë nga “miniera” e merkatos së kuqe janë ata të sulmuesit shkodran, Vioresin Sinani dhe mesfushorit të Tiranës, Saimir Patushi. Sigurisht këta janë dy prej emrave të shumtë, të cilët janë në planet e presidentit Xhani, për skuadrën e re të Partizanit. Sipas informacioneve të marra nga burime të pakonfirmuara në tavolinën e Xhanit është një listë e gjatë emrash, të cilët mendohen se do të jenë pjesë e Partizanit, në sezonin e ardhshëm. Deri në këto momente, lista është “top secret”, por disa prej emrave nuk ka qenë e vështirë të individualizohen. Ndër ta, edhe dy emrat e futbollistëve në fjalë, Sinanit dhe Patushit. Ndërkohë, që sulmuesi shkodran duket se e ka ndarë mendjen për t’i dhënë lamtumirën Vllaznisë dhe ka pranuar se ka patur një ofertë shumë të kënaqshme nga skuadra e kuqe e kryeqytetit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mesfushorin bardheblu, Saimir Patushi. Disa burime të pakonfirmuara e japin të sigurt, kalimin e tij te Partizani, por vetë Patushi ka bërë të ditur se një gjë të tillë as nuk e ka çuar ndër mend. Sipas burimeve konfidenciale pranë skuadrës së kuqe, mësohet se mesfushori i Tiranës ka patur kontakte me presidentin e Partizanit, Albert Xhani, në zyrën e këtij të fundit. Por, vetë Patushi ka hedhur poshtë çdo lajm të tillë, duke theksuar se nuk e shtyn asnjë arsye për të lënë Tiranën në këmbim të Partizanit, apo të ndonjë skuadre tjetër. Pasi në qarkullim ka edhe zëra që flasin për një interesim të Vllaznisë. “Asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje se do të largohem nga Tirana. Veç titujve të shumtë që kam fituar, te skuadra bardheblu ndjehem vërtetë shumë mirë. Këtu ndjehem si në shtëpinë time. Ambienti është perfekt dhe nuk shoh asnjë arsye për të lëvizur”- ka deklaruar mesfushori i Tiranës, Saimir Patushi. Madje, matjani i Tiranës ka mohuar çdo kontakt me presidentin Xhani. Sipas tij, këto janë thjesht zëra merkatoje dhe vetëm 10% e tyre janë të vërtetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›