Xhafaj: Penalltia do më mbetej peng
13/05/2005 I pamohueshëm është edhe roli i sulmuesit vlonjat të Teutës, Daniel Xhafaj, në suksesin e bregdetarëve. Edhe pse i ka bërë me dhembje koke tifozët durrsakë, në momentin e gjuajtjes së 11- metërshave, kur ka humbur para Nallbanit, sulmuesi vlonjat ka qenë një ndër më të mirët në suksesin e bregdetarëve. Jo vetëm për ndeshjen e zhvilluar në Elbasan, por për atë çfarë i ka dhënë Teutës, gjatë një sezoni të tërë. Ndërkohë, vetë sulmuesi vlonjat është shprehur se do t’i kishte mbetur peng, nëse ajo penallti e humbur prej tij do të kishte dënuar skuadrën e Teutës. “Nuk di se çfarë të them në këto momente. E sigurt është se nëse skuadra nuk do të kishte fituar, ai 11-metërsh i humbur nga unë do të më mbetej peng”- ka deklaruar Xhafaj. Gjithsesi, tashmë që çdo gjë është mbyllur dhe Teuta e ka bërë të sajën trofeun e Kupës së Shqipërisë, Xhafaj rikthehet të buzëqeshë, duke ia dedikuar fitoren të gjithë shokëve të tij, stafit të Teutës dhe tifozëve durrsakë. “Jam shumë i emocionuar për fitoren e arritur. Mendoj se ishte kurorëzimi i një pune të madhe. Meritë kanë të gjithë dhe dua ta ndaj këtë sukses me shokët e skuadrës, drejtuesit e Teutës dhe me publikun durrsak që ka besuar te ne. Me të vërtetë një gëzim mjaft i madh”- ka shtuar më tej sulmuesi vlonjat i Teutës, Daniel Xhafaj. Por, sulmuesi i Teutës nuk ka harruar të falenderojë edhe portierin e Teutës, Kapllanin. Në fakt, kapiteni i Teutës ka pritur 11-metërshin e Fjodor Xhafës, në serinë e pesë gjuajtjeve, duke e mbajtur në lojë Teutën dhe duke shlyer gabimin e vlonjatit Xhafaj, i cili goditi shtyllën. “Nuk mund ta besoj se si humba 11-metërshin në një sfidë kaq të rëndësishme. Por, dua të falenderoj shumë portierin dhe kapitenin tonë, Kapllani, i cili priti gjuajtjen e Fjodor Xhafës fillimisht dhe Hajdarit më pas”. Më tej goleadori më i mirë i durrsakëve në sezonin që po i drejtohet fundit, është ndalur për të analizuar edhe ndeshjen me Tiranën. Në intervistën e tij dhënë për “Metropol Sport”, numri 22 i Teutës ka deklaruar se skuadra bregdetare e kishte vlerësuar mjaft drejt ndeshjen me Tiranën dhe impenjimi maksimal dhe besimi në vetvete ishin dhe çelësi i suksesit. “Të gjithë para ndeshjes jepnin favorite, skuadrën e Tiranës për fitoren e Kupës, por ne treguam se dimë të përbysim edhe parashikimet. Sigurisht ne kishim arritur me meritë deri në finale dhe dhamë maksimumin për të fituar. Ne e kishim vlerësuar maksimalisht ndeshjen me Tiranën dhe u futëm në fushë të përqëndruar dhe të vendosur mirë. Ishte shpirti i garës dhe përqëndrimi gjatë gjithë lojës, çelësi i suksesit tonë”- ka përfunduar sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafaj.