E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronë e përgjakur

Babë e bir u goditën në derë të gjykatës nga rivalët, pas procesit për një truall

TIRANË - Një konflikt i vjetër pronësie mes dy familjeve shkakton sherrin e radhës. Vetëm pak minuta pasi kanë dalë nga procesi gjyqësor,i nisur pikërisht nga ky konflikt, babë e bir, Petrit dhe Shpëtim Tresa, 52 dhe 30 vjeç, janë goditur me sende të forta. Sapo kanë dalë nga ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë, ku po zhvillohej dhe seanca gjyqësore e radhës, tre vëllezër, të shpallur në kërkim policor, kanë nisur të masakrojnë me sende të forta kundërshtarët. Burime të besueshme policore bënë të ditur se Luan, Aleksandër e Vladimir Harizi kanë goditur babë e bir, dy javë pasi 30-vjeçari i kishte kërcënuar dhe kanosur babanë. E ndërsa Shpëtim Tresa ndodhet në gjendje kritike për jetën, i ati duket se ia ka hedhur paq për momentin, vetëm me disa plagë të lehta, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Harizi.

Incidenti 

Edhe pse konflikti mes tyre mësohet të ketë qenë i hershëm, duket se “bomba” ka plasur mëngjesin e djeshëm në ambientet e jashtme të Gjykatës së Tiranës, pranë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”. Dy palët në proces gjyqësor prej dy javësh kishin pasur shumë mosmarrëveshje mes tyre. Burime të besueshme policore bënë të ditur se 30-vjeçari Shpëtim Tresa, afro 15 ditë më parë kishte kërcënuar babanë e moshuar të tre vëllezërve Harizi, me të cilët kishte probleme të hershme për një pronë. Por situata nuk ishte qetësuar aspak, deri në nisjen e procesit gjyqësor. Burime të besueshme pranë kësaj gjykate bënë të ditur se edhe gjatë seancës, rreth orës 09:00 të mëngjesit, palët kishin nisur të debatonin ashpër. Por duke mos u ndier rehat për ndonjë zënkë në ambientet e brendshme, kanë dalë jashtë e në sherr e sipër vëllezërit kanë nisur të qëllojnë me çfarë kishin në duar babë e bir.

“Molla e sherrit”

Sipas të njëjtave burime policore, bëhet e ditur se shkak i nisjes së problemeve mes familjes Tresa dhe asaj Harizi kishte qenë një pronë, për të cilën po zhvillohet edhe gjyqi me padi pronësie. Të dëmtuarit, në rolin e të paditurve, ishin hedhur në gjyq nga familja Haziri, për një pronë rreth së cilës të dyja palët pretendonin se ishin pronarët e vërtetë. Dhe që nga momenti i nisjes së sherrit e deri më dje kishte pasur probleme dhe sherre. Harizët janë shpallur në kërkim policor për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”, ndërkohë që 30-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin Ushtarak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›