E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pauli Selimi, 30 vitet e humorit

06/03/2005  Biografi

SHKODËR - Paulin Selimi, një ndër shkrimtarët më të mirë të humorit, jo vetëm shkodran, por edhe atij shqiptar, ka lindur në qytetin e Shkodrës, në vitin 1947. Studimet e larta i mbaroi në 1969, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua në degën Gjuhë–Letërsi. Ka punuar për vite me radhë si mësues i letërsisë, për t’u emëruar më pas, në vitin 2002, drejtor i shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër.

Në periudhën 1991-2001 ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shkodrës dhe për vite të tëra ka punuar si bashkëpunëtor i radios, televizionit, shtypit si dhe i skenave të estradave. Shpërblim i punës së tij krijuese ishte dhe dekorimi i bërë nga Presidenti i Republikës në vitin 2002, me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Krijimtaria e tij në zhanrin e humorit filloi të marrë vrull që pas viteve '70, ku firma e tij u shfaq pothuajse në të gjitha gazetat dhe revistat e asaj kohe, jo vetëm për vlerat e padiskutueshme të shkrimeve të tij, por edhe sepse humori ishte dificitar.

Materialet e shkruara nga Pualin Selimi përfshijnë një gamë të gjerë ku numërohen me qindra pjesë të vëna në skenë, duke filluar nga grimca, dialogu, monologu, eseja, pantonima, skeçi, komedia me një akt, Vadevil (skec muzikor) e deri te skenari i filmit artistik, vepra këto të vëna në skenë jo vetëm në Shkodër, por edhe në rrethe të tjera të vendit si në Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Elbasan etj. Në shtypin e kohës, si dhe në libra numërohen të botuara rreth 300 tregime humoristike, ku një pjesë janë përkthyer edhe në gjuhë të huaj e veçanërisht në bullgarisht. Paulini ka marrë edhe shumë çmime të ndryshme kombëtare për vëllimet me tregime, skeçe etj. Selimi është autor i disa librave me tregime humoristike, si “Gati orkestra” të botuar në 1972, ”Një skeç për veten” të botuar në 1977, ”Banor i shkallës së lartë” i botuar në 1981, ”Nuk shihet fytyra vetëm te pasqyra” e nxjerrë në qarkullim në 1985, ”E drejta e natës së parë” (dy botime) 1994, ”Duel gjelash” 1997, e ribotuar në 1999, ”Vizita e ujkut plak” krijime humoristike të botuara në 2004.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›