Xof: Dua vetëm fitoren
06/03/2005 Ndeshja midis Fiorentinës e Rexhinës nuk do të jetë si gjithë të tjerat, pasi vdekja e Nikola Kaliparit, në Irak, ka hedhur një “tis” trishtimi mbi stadiumin “Artemio Franki”. Trajneri i vjollcëve, Dino Xof, provon të përqendrohet, megjithë atë që ka ndodhur: “Tre pikët janë të nevojshme, ose më saktë themelore. Nuk kemi asnjë alternativë tjetër, sepse renditja jonë do të përkeqësohej shumë. Duhet të ndalojmë zbritjet e tyre dhe të jemi të kujdesshëm në lojën ajrore, pasi ata janë shumë të zotë”. Xof ka akoma disa dyshime për formacionin titullar, ndërkohë që duket e sigurtë prezenca e Anxhelo Di Livios, që nga minuta e parë: “Besoj se do shfrytëzojmë eksperiencën e Di Livios, pasi është paraqitur mirë në stërvitje. Jorgensen? Është një periudhë e mirë për të, pasi i ka kaluar problemet fizike dhe mund të jetë i rëndësishëm për ne. Kërkoj shumë kujdes nga mbrojtja, pasi kryejmë gabime të pafalshme herë pas here. Pacini është stërvitur mirë dhe i kam treguar disa lëvizje të veçanta, ndërkohë që mund të ketë hapësirë edhe për Nakatanë”.