USAID trajnon 93 mjekë të familjes
06/03/2005 BERAT - Ka qenë një projekt i organizuar nga Drejtoria e Shëndetit Publik në bashkpunim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë si dhe me departamentin e “mjekut të familjes” të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë organizuar në Berat një kurs trajnimi 6- mujor për rajonin e këtij Qarku për mjekët e familjes. Gjatë këtij trajnimi, mjekët nga tre rrethet e Qarkut kanë kryer seminaret e organizuara në ambientet e hotel “Tomorit”, ku kanë marrë përvojën mjekësore dhe të organizimit të punës të mjekut të familjes. Në temat e afruara nga mjekët e Fakultetit të Mjekësisë kanë qenë problemet e gjakut, sistemi kardivaskular, mëlçia, veshka. Në këto tema, mjekët e familjes kanë mësuar edhe mënyrën e organizimit të financimit shëndetësor si dhe për të gjitha ekzaminimet e llojeve të sëmundjeve si problemet profilaktike, ato klinike dhe të organizimit shëndetësor, si dhe rrugët organizative e mjekësore, që duhet të ndjekin mjeku tek i sëmuri i familjes. Pas përfundimit të seminarit 6-mujor, dje në ambientet e hotelit u shpërndanë edhe çertifikatat përkatëse. Për përfundimin e këtij kursi trajnimi, drejtori i shëndetit parësor, Dervish Hoxha tha për gazetën se ky trajnim është pjesë e reformës së shëndetsisë, sfidat shëndetësore për vitin 2005 janë të mëdha, shëndetësia e Beratit është e përgatitur për politika shëndetësore, në të cilat do të implementohen në nivelin e këtij rajoni, përfundon doktor Hoxha.