Murinjo: Më pëlqen Anglia
06/03/2005 Hoze Murinjo mbetet trajneri më i mirë që ka zbarkuar ndonjëherë në “Stemford Brixh”, por sigurisht dikush tjetër fshihet pas figurës së tij. Bëhet fjalë pikërisht për gruan e tij, Tami. Nisur nga kritikat dhe paralajmërimet e shprehura nga ana e Federatës Angleze të Futbollit, për gjestet e treguara gjatë finales së Kupës Karling, ai ka deklaruar se nuk do ta ndryshonte kurrsesi mënyrën e të sjellurit. Ndërkaq, trajneri 42- vjeçar ka theksuar se është vetëm një person që mund t’i thotë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjë. E megjithatë, në komentet e tij ai ka pranuar se do të bëjë përpjekjet e tij maksimale, për t’u përshtatur me kulturën britanike. “Jeta në Angli është fantastike, por më duket paksa e vështirë, ka komentuar Murinjo. Kam qenë nëpër pabe vetëm një herë dhe pikërisht te një këtu pranë rajonit, ku banoj. Më nxjerr ndonjëherë jashtë, ime shoqe për të blerë një paketë cigaresh. Në përgjithësi, nuk para ulem të marr pije alkoolike. Thjesht kur ulem nëpër bare, i përdor monedhat, për të blerë cigare nga makineritë e reklamave. Sigurisht, unë nuk kam ardhur këtu, duke pritur që t’i bëj gjërat sipas mënyrës sime personale. Edhe mua më duhet të respektoj kulturën e këtij vendi. Ndoshta të gjithë këtu nuk janë mësuar të takojnë shpesh njerëz si unë. Me kalimin e viteve mund të përballesh me shumë trajnerë, të cilët sillen në mënyra nga më të ndryshmet, sidomos për sa i përket personalitetit. Ndoshta, kjo është hera e parë që dikush mund të sillet kaq hapur ose le të themi se nuk ka frikë të shprehë atë çfarë ndjen dhe mendon. Ky është futbolli i sotëm. Nëse unë them me plot gojën se ne do të jemi kampionë të Premier Ligës, kjo nuk do të thotë aspak që mua më mungon respekti dhe dinakëria. Por, unë nuk kam për të ndryshuar. Edhe nëse nuk do të fitonim titullin kampion, të gjithë do të thonë se na ka munguar besimi në vetvete. Sidoqoftë, unë nuk shqetësohem, sepse kështu më pëlqen të jem. Po ashtu, edhe skuadrës sime asnjëherë nuk i ka munguar ndjesia e besimit. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi respekt për rivalët tanë, Mançester Junajtid dhe Arsenal. Pavarësisht nga çfarë ka ndodhur kohët e fundit, unë kam filluar të ndihem shumë i lumtur këtu. Prandaj, mendoj se nuk do të jetë e lehtë që të rikthehem sërish në Portugali. Një ditë po ndiqja në shtëpinë time, një takim çerekfinal të Kupës së Portugalisë. Ajo që më bëri përshtypje ishte se në stadiumin e Benfikës, tek i cili audienca është për 87.000 vetë, për fat të keq merrnin pjesë vetëm 12.000. Në këtë mënyrë, mendoj se këtu interesi dhe entuziazmi të jep një kënaqësi më të madhe. Çdo stadium është i mbushur plot, ku të gjitha skuadrat luftojnë për të gjetur rezultatet pozitive. Çdo qytet ka të veçantat e veta dhe prandaj, trajnerët duhet të përshtaten me gjithçka. Më duhet që edhe unë të respektoj atë, çfarë është e rëndësishme për krerët e futbollit në këtë vend. Kam frikë se në të ardhmen duhet të kem më shumë kujdes, sepse përndryshe do të ndëshkohem. Pra, do të mundohem që t’i mos i përsëris më gabimet e mia”.