E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria, nyja ballkanike, në trafikimin e drogës në BE

06/03/2005  Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin e tij vjetor mbi Strategjinë Ndërkombëtare për Kontrollin e Drogave, ku Shqipëria është renditur në vendet strategjike për trafikimin drejt Evropës Perëndimore. Gjithashtu, janë hedhur dyhimet e para që hashashi i cilësisë së parë, i cili prodhohet në Shqipëri, shkëmbehet me heroinë të cilësisë së lartë të prodhuar në Turqi. Raporti argumenton se shteti shqiptar është më shumë i angazhuar në luftën kundër trafikut të drogave, kjo dhe për shkak të presionit që ushtrohet nga institucionet ndërkombëtare, ndërsa duke deklaruar një tjetër fenomen negativ për vendin tonë, Departamenti amerikan i Shtetit thekson se korrupsioni në nivel të lartë, sjell pengesa në efikasitetin e luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike.

Raporti

Departameni amerikan i Shtetit rendit disa vende të BE-së, si qendra të rëndësishme për pastrimin e parave, përfshirë Francën, Gjermaninë, Rusinë, Ukrainën, Italinë, Spanjën dhe Britaninë. Departamenti i Shtetit përmend edhe Gjermaninë e Holandën si burime të rëndësishme të lëndëve kryesore kimike, që përdorën për prodhimin e drogës. Në raport thuhet se Shqipëria është një pikë kryesore kalimi për heroinën nga Afganistani dhe Turqia për në tregjet evropiane. SHBA thekson se grupe të krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë se pikë kalimi, për shkak të pozitës strategjike të vendit, kufijve të pambrojtur dhe sistemeve të saj të dobëta gjyqësore e policore. Drogat ilegale, që transportohen më shumë, janë heroina, marijuana dhe më pak kokaina. Në raport thuhet se heroina transportohet kryesisht në Itali, Greqi dhe Holandë, nëpërmjet të të ashuquajturës Rruga Ballkan, që fillon nga Turqia dhe kalon nëpër Bullgari, Maqedoni e Shqipëri. Kokaina kontrabandohet nga Amerika Jugore nëpërmjet SHBA-së, Italisë, Spanjës, Greqisë ose Holandës dhe pastaj kalohet në Shqipëri për t’u shpërndarë nëpër Evropën Perëndimore. Marijuana prodhohet në vend për tregjet e Evropës.

Drogat

“Ka prova se hashashi i cilësisë së lartë, i prodhuar në Shqipëri, shkëmbehet me heroinë në Turqi”, thuhet në raport. Drogat sintetike, veçanërisht ekstëzi, përbëjnë një problem në rritje. Abuzimi i drogave përbën një problem tjetër në rritje në Shqipëri, por ende mbetet në një shkallë të ulët në krahasim me Evropën Perëndimore. Statistikat ende nuk janë të verifikueshme për sa i përket trafikimit të drogave ose përdorimit të tyre, ndërkohë që publiku në përgjithësi nuk është në dijeni të problemeve që sjellin drogat. Burimet kryesore të fitimeve kriminale janë krimet që lidhen me drogat, vjedhjet, shkeljet e rregullave doganore, shfrytëzimi i prostitucionit, trafikimi i armëve dhe i automjeteve si dhe vjedhja nëpërmjet abuzimit të detyrës.

Paratë e drogës pastrohen në Shqipëri

Raporti i SHBA-së thekson se fitimet që vijnë nga trafiqet e drogës, kthehen në formën e investimeve në Shqipëri. Për këtë renditen një sërë agumentesh. Në raport thuhet se grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si bazë të operacioneve për veprimtari kriminale në vende të tjera, duke dërguar përsëri në Shqipëri shuma të mëdha parash të fituara në mënyrë të paligjshme. Të ardhurat nga këto veprimtari pastrohen me lehtësi në Shqipëri për shkak të kontrollit të dobët qeveritar. Pastrimi i parave mendohet se bëhet nëpërmjet parave, që qarkullojnë në pasurinë e patundshme dhe në projekte të zhvillimit të biznesit. Kontrollet e doganave për sa i përket transaksioneve të mëdha në kesh, nuk janë të efektshme, për shkak të burimeve të nevojshme dhe korrupsionit te zyrtarët e doganave. Ekonomia e Shqipërisë zhvillohet kryesisht me para në dorë. Rreth 80 për qind e të gjitha veprimtarive bankare kryhen me para në dorë, duke e bërë të vështirë për policinë që të zhvillojë hetime rreth pastrimit të parave. Transaksionet elektronike janë të pakta, megjithatë po rriten me shpejtësi, ndërsa më shumë banka vënë në dispozicion një teknologji të tillë. Gjithsesi Departamenti i Shtetit thekson se do të vijojnë programet e ndihmave për Shqipërinë, në mënyrë që të realizohet eliminimi i trafikut të drogave. Sipas Bankës Qëndrore të Shqipërisë, 26 për qind e qarkullimit të parave zhvillohet jashtë sistemit bankar, në krahasim me një mesatare prej 10 për qind në ekonomitë e tjera në kalim të vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore. Deri vitin e kaluar, qeveria e Shqipërisë i paguante punonjësit e saj me para në dorë, por një numër institucionesh në rritje po përdorin sistemin elektronik të pagesave. Madje, të gjitha institucioneve të qeverisë qëndrore tani u kërkohet që deri në fund të këtij viti të kalojnë në sistemet elektronike të pagesave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›