E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia, Hyseni: Kosova e përgatitur për në GJND

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni deklaruar se Kosova është përgatitur mirë për ta mbrojtur pavarësinë e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
"Ne do të paraqesim gjatë tre orëve argumente të fuqishme në mbrojtje të së drejtës së Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe sovran, përkatësisht në mbrojtje të vullnetit politik të popullit të Kosovës për shtetësi dhe pavarësi. Të gjitha përgatitjet e mundshme janë bërë dhe nuk është lënë asnjë argument valid për Gjykatën pa u përfshi gjatë prezantimit, qoftë me shkrim, qoftë gjatë prezantimit me gojë që do ta kemi me 1 dhjetor", deklaroi Hyseni.
Ai ndodhet në Hagë ku do të zhvillojë takime me ekspertët ligjorë ndërkombëtarë, me qëllim të harmonizimit përfundimtar dhe finalizimit të deklaratave, të cilat do të prezantohen para Gjykatës.
Mbi tridhjetë shtete do të paraqesin argumente rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, në seancën publike dëgjimore në Gjykatën e Botës në Hagë, që fillon të martën dhe zgjat deri më 11 dhjetor.
Pavarësinë e Kosovës në Gjykatën e Drejtësisë do ta mbrojnë: Shqipëria, Austria, Bahreini, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermani, Jordania, Holanda, Norvegjia, Arabia Saudite, Britania e Madhe, SHBA-ja si dhe delegacioni i Kosovës. Ndërkaq, argumente kundër ligjshmërisë së pavarësisë së shtetit të ri do të paraqesin: Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Brazili, Burundi, Kina, Qiproja, Laosi, Rumania, Rusia, Spanja, Venezuela, Vietnami si dhe delegacioni serb.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›