Pavarësia e Kosovës
• Agim DoçiKlasën e parë fillore e nisa në Shkodër, asokohe pak ma i vogël sesa moshatarët e mi. Nuk kisha mbushur as 6 vjeç. Më përcolli nan’daja at’ 1 shtator të vitit 1954 për në klasën e parë të shkollës Ndre Mjeda. Arzuja, pra gjyshja ime, që kishte lindur 8 fëmijë, njëra prej të cilëve – Shqiponja, nana ime, tek më përcolli te dera e oborrit më porositi: “Të keqen nëna, edhe po nuk mësove gjithë këto libra, një gjë mësoje, historinë e kombit! Se jemi komb që na kanë prerë në mes, përgjysmë o bir. Ata më të vuajturit e më luftëtarët janë në Kosovë. Mos e harro të keqen nëneja, na kanë prerë përgjysmë...!”.Shokët e shoqet e klasës ishin aq të lumtur që filluan shkollën, bënin potere, luanin në pushim të madh dhe të vogël, ndërsa unë nuk u bashkova me ta. Mësuesja ime e dashur dhe e paharruar e vuri re këtë trishtim. Madje, qava kur më pyeti: “Po ti pse nuk luan me shokët?...”.Mbas dënesave dhe lotëve iu përgjigja me pafajësi fëmije: “Po neve na kanë prerë për gjysmë, o zyshe, mua nuk më luhet...”.E pra, Kosova prej asaj dite, mbeti dhe është malli im, dashuria ime. Gjithë jetën do shkruaj për Kosovën, sepse është amaneti i gjyshes dhe ëmbëlsia e mësueses time ta paharruar, që na mësonte vjersha dhe pjesë leximi për Kosovën në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër dhe që sot nuk e di jeton apo jo – mësuesja e nderuar Shqipe Vuksani.Shumëkush mund të pyes me një farë habie: “A ka sesi që Agim Doçi me të vërtetë është autor i 647 këngëve për Kosovën?!”.Kosova këto ditë të bekuara po shpall pavarësinë. Ky gëzim dhe kjo hare e munguar në shekuj dhe në dekada është gatuar me gjakun dhe ëndrrën e kosovarëve gjatë... tejet gjatë. Kosova është djep trimërie dhe djep lirie!Nuk ka dëshmor dhe hero të Kosovës që unë të mos i kem kushtuar vargun tim, frymëzimin tim, poezinë time dhe pjesën më me vlerë të krijimtarisë time.Megjithëse më duket vetja shumë i vogël para atyre që flijuan për Kosovën, poezia patriotike dhe kënga patriotike që kam shkruar nuk është vetëm “pronë e imja”. Një kolos i poezisë dhe i këngës atdhetare patriotike (mbas At Gjergj Fishtës) madje është Gjok Beci. Rapsodët tanë të mrekullueshëm si Haziz Ndreu, Sali Mani, Tom Nikolla, Ded Ndue Lazri, Frrok Haxhia etj., këtë Kosovë martire e trimëreshë e sollën përherë në sofrat artistike, në festivalet folklorike dhe madje dhe në ato të muzikës së lehtë. Pra, mbajtja gjallë në kujtesën kombëtare e luftërave për liri, e heroizmit atdhetar, e dritës që rrezatuan në mote bijtë e Kosovës, nuk ishte fasadë e propagandës së realizmit socialist, por këmbëngulja e jonë dhe pse jo një farë “tagri” që mora unë si autor produktiv, ngaqë edhe vorret e të parëve të mi i kam atje, në Kosovë. Kam 4 dëshmorët e familjes Markalleshaj në Gjakovë, kushërinjtë e mi të afërm që ishin luftëtarë, me komandant legjendarin Ramush Haradinaj.Me shumë respekt përmend bashkëpunimet për Kosovën dhe trimat e saj me Artistin e Madh të Popullit, Avni Mula dhe Fehim Ibrahimi (i ndjerë) apo me Artistin e Merituar, Luan Zhegu, e së voni sapo nisi lufta për çlirim me Edmond Zhulalin, që rreshtohen diku mbi 100 këngë(!)Këngët e kushtuara Kosovës, në vitet ‘70–‘80 pata fat të madh që u interpretuan nga më të shquarit e artit shqiptar. Ata që ishin të magjishëm në skenë, Artistët e Mëdhenj të Popullit, Vaçe Zela, Gaqo Çako, Avni Mula, apo Artistin e Merituar, Hysen Koçia.Vërtetë kompozuan e shkruan të gjithë krijuesit, kush më shumë e kush më pak, por të gjithë kosovarët e shprehin plot nderim: “Agimi asht poeti i lirisë sonë...”.Më 17 janar 1982, kur u vranë pabesisht Isuf Gervalla me vëllanë Bardhoshin dhe Kadri Zekën në Shtutgart, shpërtheu nga shpirti im krijues dhe nga Sali Mani, kënga e famshme për ata tre shqipe që vrastarët serbë ua ndërprenë fluturimin. Po kështu edhe personalitetit të shquar të Kosovës, asokohe kryetar i Komitetit të Mbrojtjes së të Drejtave Njeriut, prof. Enver Hadrit, që u vra pabesisht në Bruksel. Apo kënga himn kushtuar simbolit unikal të qëndresës në burgjet e Serbisë dhe që njihet si Mandela i Kosovës – Adem Demaçit në kapërcyell të viteve ’80-të. Kënga për pajtimtarin e madh Anton Çeta që pajtoi mbi 2 mijë gjaqe. Për bijtë e shquar atdhetarë si Elfet Homolli, Nasemi Helshani apo studentin Ali Ajeti. Nuk reshtën këngët homazh për Hamz e Adem Jasharin, për Zahir Pajazitin, Fehmi e Xhevë Lladroci, për Bekim Berishën, për trimat e Gllogjanit apo të Rrafshit të Dukagjinit, Koshare e Drenicë, për njeriun e madh Fehmi Agani, për djaloshin Arben Shaq Qerimin, që u vra pa mbushur 20 vjeç. Nuk mund të rreshtohen vargjet dhe këngët që kompozuam me Avni Mulën sapo u dha lajmi i kobshëm i helmimit të mbi 7 mijë fëmijëve kosovarë në vitin ‘91. U bë kori më i madh në botë me 3 milionë fëmijë shqiptarë kënga që shkrova asokohe “A vritet pafajësia?!..”, apo “Marrshi i UÇK-së”. Pra, janë më shumë se 13 mijë vargje kushtuar kësaj Dite të Shenjtë të Pavarësisë së Kosovës martire. Nuk mund të lë pa përmendur inkursionin në 22 shtete të Evropës dhe 83 koncerte nëpër kryeqytetet evropiane, ku me skenar timin, me poezitë lapidare të At Gjergj Fishtës, Mitrush Kutelit, me tekstet e mia dhe të poetit gjigand të poezisë atdhetare Gjok Beci tronditëm skenat e Evropës, duke shpalosur vlera të Artistit të Popullit, kompozitorit Pjetër Gaci (i ndjerë) dhe të nacional – kompozitorit Edmond Zhulali. U mblodhën fonde për të ndihmuar popullin e rrezikuar të Kosovës, fëmijët kosovarë që flinin në çarçaf të hënës. Nuk është fare sekret, mblodhëm fonde edhe për ushtrinë e lavdishme çlirimtare. Janë plot veprimtarët e atij fondi “Atdheu thërret!”, por arti patriotik i yni në ato koncerte humanitare dhe angazhimi i Remzi Ejupit janë shembull që nuk duhet harruar dhe pse jo, që nuk përsëritet. Ndaj nuk ka përse të jap intervista. Të gjithë e dinë që autor jam unë. Madje, vetë ato krijime dhe ato këngë janë intervista më e saktë dhe pse jo do të mbeten përjetësisht në kujtesën popullore.Kemi marrë mirënjohje plot, por ajo që më jep emocione të pamat, ka qenë dhe është respekti kur shkoj në Kosovë. Atje fisnikëria e atyre njerëzve mirënjohës më bën të ndjehem shumë borxhli. Dhe janë dekorata më e çmueshme për mua. Unë do i kërkoja ndjesë familjeve të të gjithë dëshmorëve që në këtë shkrim nuk po i përmend të gjithë. Ata janë në lapidare dhe në këngët lapidare për të cilat kam nderin dhe krenarinë të jem autor. Ndoshta më besoni që kam një borxh të madh edhe ndaj familjeve të luftëtarëve të lirisë që u nisën nga Shqipëria mëmë, si Indrit Cara nga Kavaja, apo nga Tropoja djem si Tahir Mala dhe Xheladin Selmani, Naim Cena nga Kruma e Hasit, Arjan Brahimi nga Shkodra, Astrit Suli nga Berati, Halit Coka nga Kuksi, Lefter Goxhaj po nga Berati, që flijuan rininë e tyre si dëshmorë të Kosovës dhe unë ende nuk i kam përjetësuar në këngët që ata meritojnë. Janë 37 bij nënash shqiptare që i thirri lufta për liri në Kosovë dhe ata lanë Shqipërinë e u rreshtuan në trupat e UÇK-së. Sot prehen në altarin e lirisë dhe të pavarësisë. Do vij një ditë që në antologjinë e letërsisë atdhetare shqiptare, kur të mos jemi më gjallë fizikisht, do na lexojnë brezat e nipërve dhe mbesave tona. E ka thënë saktë Kadare, jemi i vetmi popull që autobiografinë e kombit e kemi të shkruar në vargje e në këngë...”.